E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri orë reshje përmbytin Vlorën, 50 cm uji në rrugë

 

VLORE - Kanë mjaftuar vetëm tri orë shi që qyteti i Vlorës të gdhihet mbi ujë. Disa lagje u përmbytën si pasojë e reshjeve, ndërkohë që shiu e stuhia shkulën pemë, thyen xhama dhe lanë pa energji disa zona të tjera. Në një pjesë të bulevardit të Vlorës, por edhe në zona të ndryshme nëpër lagje, uji arriti rreth 50 centimetra. Më të përmbytura ishin zonat në hyrje të qytetit në rrugën e re, ajo e fabrikës së Orizit, pranë universitetit, rruga “Justin Godar”, etj. Në shumë banesa njëkatëshe, por edhe në katet e para të pallateve në lagjet “Pavarësia”, “Centrale”, “24 Maji”, “1 Maji”, si dhe zona të tjera periferike, uji përshkoi brenda tyre, duke rrezikuar pajisjet, por edhe banorët. Këta të fundit shprehen të shqetësuar për situatën, pasi sipas tyre, sa herë bien reshje, uji u futet në shtëpi. Ata u munduan me orë të tëra të largojnë nga banesa ujin me mjete rrethanore. Edhe një vit më parë, banorët e Vlorës u përballen me një situatë të vështirë nga përmbytjet. Emergjente është paraqitur situata edhe në disa shkolla, kopshte dhe çerdhe në qytet, si dhe institucione shtetërore. Përmbytjes nuk i shpëtuan as Muzeu Etnografik dhe kati i parë i Muzeut Historik. Përmbytjet e djeshme sollën mjaft vështirësi për kalimin e makinave dhe akoma më keq për këmbësorët, të cilëve iu desh të përvishen për të kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Për rreth 4 orë qyteti ishte i paralizuar nga reshjet. Ndërkohë që veç ndërmarrjes së shërbimeve që angazhoi punonjësit e saj për normalizimin e situatës, askush tjetër nga vendorët nuk doli në punë për të parë nga afër përmbytjen e radhës. Sipas specialistëve, shkak për përmbytjen janë kanalizimet e bllokuara. q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›