E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet rruga, izolohen tri komuna të Dukagjinit

Rruga nacionale që lidh zonën e Dukagjinit me Shkodrën është bërë e pakalueshme, pasi reshjet e shiut, të shoqëruara me erë të fortë, kanë krijuar rrëshqitje të dheut dhe të gurëve. Rruga është bllokuar në vendin e quajtur Kthesa e Karmës në Komunën e Pultit, fare pranë vendit kur dy vite më parë ndodhi aksidenti i rëndë tragjik, në të cilën humbën jetën 10 persona që ranë nga një lartësi prej rreth 800 metrash në lumin Kir. Si pasojë e bllokimit të rrugës, rreth gjashtëmijë banorë të tre komunave të Dukagjinit: Shalë, Shosh dhe Pult kanë mbetur të izoluar pa mundur të komunikojnë me Shkodrën. Nga rrëshqitja e dheut dhe e gurëve nuk ka pasur dëme në njerëz, apo dëmtime të makinave, por furgonët e linjave që lëviznin në këtë rrugë kanë krijuar radhë të gjata në pritje të hapjes së rrugës. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes, Drejtoria e Rrugëve ka nisur një fadromë për zhbllokimin e saj. Megjithatë ajo ka qenë e bllokuar deri në mbrëmje, për shkak të depozitimit në sasi të mëdha të dheut dhe gurëve në mes të rrugës. Ndërkohë, situata bëhet akoma më e ndërlikuar, kur në këtë zonë nuk funksionojnë as shërbimet e telefonisë fikse, apo të lëvizshme, duke i lënë banorët krejt të izoluar. Në këtë zonë të thellë ka mangësi të theksuara në shërbimin shëndetësor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›