E Diel, 1 Nëntor 2026

Pa ilaçe, por të paktën me ngrohje!

Çdo e mirë e ka një të keqe, çdo e keqe e ka një të mirë. Kështu thotë një nga fjalët e urta kineze. Ndoshta edhe për spitalin Nënë Tereza mund të shkojë për shtat ky proverb. Edhe pse në ditë të vështira spitali "Nënë Tereza" është i ngrohtë. Prej pak ditësh, në këtë qendër është ndezur ngrohja qendrore. Sipas një rregulloreje të brendshme të këtij spitali, ngrohja qendrore ndizet në javët mes muajit nëntor. Ky sistem ngrohjeje përfshin të gjitha shërbimet, duke përjashtuar defektet në zona të caktuara apo vende ku nuk janë bërë restaurime.

Ngrohja qendrore kalon në dhomat e pacientëve, mjekëve, në sallat e rëndësishme, si dhe në ambientet e tjera spitalore.

Ngrohja qendrore hapet në muajin nëntor dhe mbyllet me ardhjen e pranverës, sipas temperaturave dhe të ftohtit në muajt mars, prill. Edhe pse sistemi teknik i ngrohjes, apo ushqimit, të gjitha këto shërbime teknike, tashmë janë vendosur në shina, në spitalin më të madh të vendit, qendrën me të cilën evidentohet shëndetësia shqiptare nuk janë zgjidhur problemet prioritare.

Barnat, medikamentet për terapi, si dhe një pjesë e mirë e produkteve, që duhet të ofrohen nga farmacia e spitalit, blihen privatisht nga pacientët. Kjo, pasi blerjet e mëdha, tenderët që furnizojnë në mënyrë masive spitalet ende nuk kanë përfunduar.

Blerjet e vogla, "huat" apo zgjidhjet alternative nuk mund të përballojë fluksin e kërkesave të pacientëve që vijnë jo vetëm nga Tirana, por nga i gjithë vendi. Këshilli i Ministrave, nisur nga problemet e afateve që kishte spitali, vendosi mesin e muajit dhjetor si limit përfundimtar për të realizuar blerjet e ilaçeve. Nëse deri në këtë datë procedurat e blerjeve nuk do të përfundojnë, kriza e mungesës së ilaçeve, që ka përfshirë prej gjashtë muajsh spitalin "Nënë Tereza", rrezikon të përhapet edhe muajt e parë të vitit 2009-të.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›