Shpërthen në rrugë makina, shpëtojnë tre udhëtarët
Një masë elektrike dyshohet të jetë bërë shkak i djegies së një mjeti pasditen e së shtunës në fshatin Vodicë të rrethit të Beratit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18.30, në dalje të qytetit, në aksin rrugor Berat-Skrapar. Një mjet tip "Volkswagen Golf" me targa BR 1162 B, që udhëtonte nga Poliçani në drejtim të Beratit mësohet se ka shpërthyer si pasojë e një mase të krijuar në pjesën motorike të mjetit. Kanë qenë tre udhëtarë, pjesëtarë të një familjeje nga qyteti i Beratit, të cilët udhëtonin në mjet nga Poliçani, ku kishin shkuar për të kaluar fundjavën. Rapo Kuqi, pronari i mjetit, mësohet se udhëtonte me bashkëshorten dhe fëmijën e tij në drejtim të banesës, në kohën që ka ndodhur shpërthimi, por fatmirësisht pa i shkaktuar asnjë dëmtim atij dhe familjes, veç dëmit material. Mjeti mësohet të jetë përfshirë nga flakët dhe më pas ka shpërthyer, duke shkaktuar panik tek udhëtarët e rastit. Drejtuesi i mjetit dhe dy familjarët e tij e kanë braktisur makinën sapo kanë parë shkëndijat e para. Drejt vendit të ngjarjes mësohet se kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse, të cilët bënë të mundur fikjen e menjëhershme të zjarrit në mjet, duke shmangur përhapjen e flakëve. Më pas në vendin e ngjarjes kanë shkuar ekspertët e policisë, që kanë konstatuar se shkak i rënies së zjarrit ka qenë një masë në sistemin elektrik.