Vaksina HPV kundër kancerit
Një vaksinë e re, ajo kundër kancerit të mitrës, ndonëse tepër e kushtueshme për pjesën më të madhe të familjeve shqiptare, ka hyrë edhe në vendin tonë. Mjekja Tedeschini thotë se vaksina u rekomandohet vajzave 12-vjeçare, të cilat nuk e kanë nisur ende jetën seksuale. Shumë pak kanë dëgjuar për këtë vaksinë dhe efektet e saj në Shqipëri. Megjithatë edhe në botën e zhvilluar kjo vaksinë nuk është mjaft popullore, ndonëse konsiderohet një nga mënyrat më efikase për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës. Ekspertët ndërkombëtarë sot mendojnë se fakti që ende miliona vajza të reja nuk kanë fituar imunitet ndaj sëmundjes së rëndë nëpërmjet vaksinës lidhet me disa faktorë, të cilët shpjegojnë numrin e ulët të përdoruesve të saj. Çmimi i lartë, kryerja e tri injeksioneve për të marrë të plotë efektin e vaksinës, mungesa e ndërgjegjësimit rreth virusit HPV që transmetohet në rrugë seksuale, numri i vogël i vizitave të rregullta te mjeku i fëmijëve të grupmoshave 11-12 vjeçe, si dhe tensioni prindëror mbi imunizimin e vajzave ndaj sëmundjes, të cilin e lidhin shpesh me aktivitetin seksual të tyre dhe mospranimin e tij, konsiderohen disa nga faktorët që i mbajnë njerëzit larg kësaj vaksine të re. Jo vetëm në Shqipëri, ku njohuritë mbi virusin HPV pothuajse nuk ekzistojnë, por edhe në vendet e zhvilluara numri i grave që dinë mbi të dhe pasojat që shkakton është i vogël. Në një studim të bërë në SHBA gjatë vitit 2007, rezultoi se vetëm 40 për qind e grave kishin dëgjuar për virusin që është shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës. Vaksina HPV nuk e garanton një grua plotësisht se nuk do të preket nga ky lloj kanceri, por ajo e mbron atë nga tipat viralë 16 dhe 18, të cilat shkaktojnë rreth 70 për qind të këtij kanceri në mbarë botën. Vaksina kushton rreth 360 dollarë për 3 injeksionet e saj, ndërsa padyshim që në vendin tonë kjo vaksinë do të ketë një kosto më të lartë, për shkak të transportit dhe përqindjes së kërkuar të fitimit nga shpërndarësit. Në Shtetet e Bashkuara, afro 98 për qind e amerikanëve të siguruar privatisht përfitojnë subvencionim të një pjese të kostos së saj, por dhe për shumicën e tyre bërja e saj është e vështirë, për shkak të kostos së lartë dhe mungesës së sigurimit shëndetësor në kompanitë private.