E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Lushnjës, plan masash për të parandaluar vjedhjet

Uniformat blu të Komisariatit të Lushnjës janë duke zbatuar një seri të gjatë masash të vendosura nga drejtuesit e Komisariatit dhe të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, me qëllim menaxhimin e rasteve të vjedhjeve në këtë rreth.

Burimet zyrtare nga Komisariati i Policisë së Lushnjës bëjnë të ditur për gazetën "Shqip", se prej disa ditësh krerë të komisariatit dhe drejtues seksionesh të tij kanë zhvilluar mbledhje dhe takime me të gjithë inspektorët e rendit dhe të krimeve. Qëllimi i mbledhjeve ka qenë identifikimi dhe kapja e autorëve në të gjitha rastet e vjedhjeve, por edhe parandalimi i tyre. Mësohet se Komisariati i Lushnjës ka krijuar një plan masash, tek i cili po mbështeten të gjithë efektivët e policisë. Këtyre të fundit u është lënë detyrë që të rrisin bashkëpunimin me komunitetin. Komunat dhe fshatrat më të prekur nga vjedhjet gjatë vitit 2008 do të kenë prezent përgjatë 24 orëve inspektorin e përcaktuar nga policia, i cili do të përgjigjet për çdo vjedhje, apo tentativë vjedhjeje. Inspektorëve u është dhënë urdhër që të mos i braktisin vendshërbimet e tyre për asnjë moment. Gjithashtu, inspektorëve të policisë së rendit dhe të policisë kriminale u është lënë detyrë e posaçme që të kenë nën vëzhgim të pandërprerë personat e skeduar si kontingjent kriminal. Në këtë grup personash që po mbahet nën vëzhgimin e policisë, bëjnë pjesë edhe personat e dënuar më parë për vjedhje.

Në krahasim me një vit më parë, numri i vjedhjeve në rrethin e Lushnjës ka një rritje të ndjeshme dhe zbulimi i autorëve të këtyre krimeve është kthyer në detyrën kryesore të policisë lokale. Statistikat e servirura nga policia kriminale e Komisariatit të Lushnjës tregojnë se vjedhjet për tre muajt e fundit janë zbuluar në masën 93 për qind. "Pothuajse të gjitha rastet kanë autor", thotë kreu i policisë së krimeve, Gramoz Traga. Burimet zyrtare pranë seksionit të krimeve në Lushnjë shprehen gjithashtu se me gjithë shqetësimin, gjatë këtij viti vjedhjet kanë qenë të një natyre ordinere.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›