Tiranë, katër të plagosur në një aksident
Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në hyrje të fshatit Ndroq në Tiranë. Përplasja e një automjeti tip "Mercedes Benz" me një autobus me targa të Vlorës, ka shkaktuar plagosjen e katër personave, të gjithë anëtarë të një familjeje, nga të cilët një vajzë 18-vjeçare është në gjendje të rëndë në spital. Sipas policisë rrugore të Tiranës, vetura me targa të TR 2090 D po udhëtonte në drejtim të Tiranës, kur teksa tentoi të kthehej në një pikë karburanti për t‘u furnizuar është përplasur me autobusin me targa të Vlorës. Mësohet se nuk ka asnjë të lënduar nga pasagjerët e autobusit. Të katër të plagosurit që gjendeshin në veturën "Mercedes Benz", mes të cilëve edhe vajza 18-vjeçare, e cila është në gjendje të rëndë, janë çuar në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Mes të plagosurve është edhe një fëmijë i vogël, për të cilin mjekët thanë se nuk ka rrezik për jetën.