Probleme edhe në rrethe të tjera. Financat: Nuk kemi mungesë parash
E gjithë administrata shtetërore në Fier nuk është paguar ende për muajin dhjetor. Edhe pse u është premtuar se paga e këtij muaji do të shpërndahej ditët e fundit të vitit që sapo u mbyll, asnjë nga nëpunësit e administratës në pjesën më të madhe të institucioneve të Fierit nuk e ka marrë atë. Kështu, rreth 429 efektiva të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit nuk e kanë marrë ende pagën e dhjetorit. Shpërblimi i tyre për festat e fundvitit është dhënë në mesin e muajit dhjetor dhe nuk e ka kaluar shumën e 9 mijë lekëve të reja. Ndërsa paga, edhe pse pak ditë ka që ka kapërcyer afatin nga praktika e muajve të kaluar, edhe pse u premtua që do të jepej në fund të muajit dhjetor, ende nuk është dhënë.
Po ashtu, edhe sektori i arsimit në shkallë rrethi nuk e ka marrë pagën akoma. Madje, kjo kategori nuk përfitoi as shpërblim për fundin e vitit. Me pagë të vonuar për muajin dhjetor regjistrohet edhe sektori i shëndetësisë në Fier. Zakonisht mjekët dhe infermierët e marrin pagën në ditët e para të muajit, por këtë janar kjo nuk ka ndodhur. Edhe filiali i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë në Fier nuk i ka shpërndarë ende pagat e muajit dhjetor. Të gjithë punonjësit e OSSH-së shprehen se drejtuesit e tyre u kishin komunikuar që paga do t’u jepej në muajin dhjetor, por atyre u është dhënë vetëm paga e 13 dhe ajo e muajit si zakonisht pritej që të merrej më datën 3 janar, çka nuk ndodhi. Drejtues të Këshillit të Qarkut të Fierit u kanë komunikuar vartësve të tyre që paga e muajit dhjetor u është hedhur në bankë prej dy ditësh, por ende asnjëri prej tyre nuk ka mundur t’i tërheqë paratë. Në të njëjtën situatë ndodhen edhe punonjësit e Drejtorisë së Shfrytëzimit të Automjeteve.
Problemet me pagat janë të pranishme edhe në rrethe të tjera të vendit. Në Kukës, krerët e institucioneve kanë njoftuar punonjësit se pagat do të vonohen ende, ndërkohë që në rrethe të tjera, ku data 7 janar ishte caktuar si afati i fundit për shlyerjen e pagave, është tejkaluar pa u dhënë shumë sqarime. Ndërkohë, në Ministrinë e Financave thonë se nuk ka asnjë problem me shlyerjen e pagave.