E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet shkarkimi i karburantit në Shëngjin

Frika e Gërdecit sjell ndërprerjen e aktivitetit të importimit 6 muaj para përfundimit të afatit

Importuesit e naftës nuk do të shkarkojnë më depozitat e tyre në portin e Shëngjinit, për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë dhe dokumentacioneve ligjore. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe i Energjetikës, Genc Ruli, tashmë ka miratuar vendimin për ndalimin e depozitave në këtë port 6 muaj para vendimit të qeverisë, për ndalimin e tyre në 1 janar të vitit 2009. Ndërkaq, vendimi për bllokimin e depozitave është marrë nga Ministria e Ekonomisë në 17 prill. Kryetari i Inspektoratit Qendror Teknik, Ilir Kurti, tha për gazetën “Korrieri”, se vendimi që është marrë nga Ministria e Ekonomisë për bllokimin e shkarkimit të karburanteve është në kuadër të rritjes së sigurisë dhe uljes së paligjshmërisë. Sipas Kurtit, depozitat e instaluara nga katër subjekte janë të paligjshme dhe janë të ngritura në mungesën e kushteve të sigurisë. “Në këtë zonë janë instaluar në mënyrë të paligjshme katër subjekte të depozitave të naftës, të cilat janë ngritur në mungesë të kushteve të sigurisë dhe dokumentacionit ligjor. Në këtë mënyrë, nuk do të lejohet më të shkarkohet naftë, ku mund të themi që depozitat e këtyre kompanive mbulojnë 20 për qind të kërkesave të tregut”, sqaron Kurti. Po ashtu, sipas kryetarit të Inspektoratit Qendror Teknik, shkaku që ndalimi i shkarkimit të depozitave do të nisë zbatimin 6 muaj para vendimit të Këshillit të Ministrave, ka të bëjë me tragjedinë e Gërdecit. Ministria e Ekonomisë në këtë mënyrë, merr masa për shmangien e shpërthimeve të mundshme. Për sa i përket VKM-së nr. 486 të qeverisë, miratuar në datën 25. 07. 2007,  parashikon që brenda 18 muajsh të ndërpritet aktiviteti i importimit, transportimit dhe depozitimit (në rrugë detare nëpërmjet anijeve cisternë), të naftës gazit dhe nënprodukteve të tyre në portin e Durrësit, në një zonë të përcaktuar të tij, që përfshin Terminalin e Naftës (Linja e shkarkimit të naftës nga anijet dhe depozitat), si dhe në portin e Shëngjinit. Vendimi i Këshillit të Ministrave ka marrë në konsideratë edhe detyrat që dalin nga zbatimi i një masterplani të hartuar në periudhën 1995-2000, me financim të Bankës Botërore për portin e Durrësit, i cili parashikon zgjerimin e aktivitetit për përpunimin e trageteve të pasagjerëve dhe të anijeve të mallrave, në të cilën përfshihet edhe zona ku aktualisht janë depozitat për nënproduktet e naftës. Sakaq, për aktivitetin e përpunimit të anijeve dhe të depozitimit të nënprodukteve të naftës në depozita bregdetare në zonën e Porto Romanos në Durrës, është duke përfunduar pontili detar për përpunimin e anijeve të nënprodukteve të naftës dhe po procedohet me ngritjen e instalimeve komplekse të depozitave bregdetare te naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, në sipërfaqet e miratuara me vendimin e KRRTRSH-së nr. 21, datë 19. 10. 2001, që i referohet studimit përkatës të miratuar me VKM nr. 251, datë 20. 04. 2001 (depozita bregdetare janë miratuar për t’u ndërtuar edhe në zonën e ish-Uzinës së Sodës PVC në Gjirin e Vlorës).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›