E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euroja monedhë kombëtare?

Në vend euroizimi ka marrë formën e depozitave në valutë me 40 për qind të sistemit. Për ta zyrtarizuar, jemi në dorën e MSA-së

Shpallja e euros si monedha ligjore e vendit nuk mund të bëhet pa u bërë vendi pjesë e Bashkimit Monetar Evropian. Pra, në këto kushte, qeveria nuk ka asnjë strategji konkrete për të hequr dorë nga monedha kombëtare dhe të fusë në përdorim monedhën e përbashkët evropiane. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka shpjeguar në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, se plani për vendosjen ligjore të monedhës evropiane është brenda Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ku vendi ynë duhet të zbatojë detyrimet që lindin nga kjo marrëveshje dhe më pas do të merret vendimi. Detyrimet që rrjedhin nga MSA-ja për Bankën e Shqipërisë kërkojnë përmbushjen e kriterit të Kopenhagënit për anëtarësimin në BE, kurse për sa i përket vendosjes së monedhë së përbashkët, kërkohet mbrojtja e standardeve, siç është rritja ekonomike, deficiti buxhetor dhe inflacioni. “Plani për vendosjen e monedhës së përbashkët evropiane është brenda MSA-së dhe asnjë lëvizje e njëanshme e pritur kjo apo e papritur për një vendimmarrje nuk është e mirëpritur”, është shprehur guvernatori i Bankës së Shqipërisë, duke shtuar se e vetmja alternativë është MSA-ja. Po ashtu, edhe pse guvernatorit i Bankës së Shqipërisë nuk formuloi afate të sakta kohore për hyrjen në eurozonë, Fullani saktësoi se politikat monetare janë të orientuara drejt zhvillimit dhe sfidave të MSA-së. Ndërkaq, në vendin tonë qëkur euroja u fut fizikisht në tregje në vitin 2002, konsumatorët shqiptarë, biznesi dhe institucionet e kanë vlerësuar si një valutë të besuar dhe të fortë për të mbajtur kursimet, për të kryer transaksionet dhe investimet gjithashtu. Po ashtu, sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave përbën rreth 40 për qind. Në këtë mënyrë, ky mbetet ndër faktorët kryesorë që po shoqërojnë një poçes euroizimi. Gjatë viteve 90-të, shkalla e euroizimit në vendet në tranzicion luhatej nga 40 për qind në rreth 80 për qind. Kjo shkallë euroizimi përfaqëson nivelin e depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave në sistemin bankar. Pra, sipas Bankës së Shqipërisë, euroizimi kryesisht merr formën e depozitave në valutë. Literatura ekonomike numëron disa faktorë që mund të veprojnë ndaj strukturës valutore të parasë së gjerë. Përveç efekteve tranzitore, sikurse paqëndrueshmërinë e përkohshme të cilat iniciojnë një proces euroizimi, veprojnë edhe efekte psikologjike dhe faktorë të tjerë. Kështu, intensiteti i përçimit të ndryshimeve të kursit të këmbimit apo luhatja e tij, sikurse dhe luhatja e normave të interesit dhe e indeksit të çmimeve mund të shoqërohen me rritje ose ulje të shkallës së euroizimit. Po ashtu, nuk duhet harruar fakti që edhe institucionet duket se ende nuk kanë harmonizuar ende raportimet në këtë monedhë. Kurse për sa i përket kuotimit në euro, në vendin tonë janë ato të çmimit të pasurive të paluajtshme, të automjeteve, si dhe të produkteve të lëndëve të para që importojnë bizneset e ndërtimit, tregtisë dhe industrisë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›