E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet skaneri, kaos në kontrollin e kamionëve

20/02/2009  Prishet përgjuesi i lëndëve radioaktive. Trafik automjetesh në afërsi të Urës së Dajlanit

DURRES- Dhjetëra kamionë kanë zënë radhë duke krijuar një autokolonë shumë të gjatë në portin e Durrësit në pritje për të lënë këtë port. Shkak për situatën, e cila ka shkuar drejt kaosit për më shumë se 3 orë është bërë mosfunksionimi i skanerit që është vënë në punë një vit më parë.

Bllokimi

Ky skaner shumë i kushtueshëm dhe me efektivitet të lartë elektroteknik në përgjimin dhe zbulimin e lëndëve radioaktive, është vendosur në pikën numër 4 të portit. Kanë qenë afro 50 kamionë që pasi janë përpunuar nga tragetet e linjës Bari-Durrës kanë nisur udhëtimin për të lënë portin. Por ata janë bllokuar në postbllokun e ngritur në pikën numër 4, në afërsi të Urës së Dajlanit, atje ku është edhe skaneri. Efektivat e degës së doganës u kanë bërë të ditur drejtuesve të kamionëve se nuk mund të vijonin më tej deri sa skaneri të rifutej në punë. Specialistët e kualifikuar pak ditë më parë nuk kanë mundur të kuptojnë realisht se çfarë kishte ndodhur, apo së paku nuk janë shprehur. Në të tilla kushte autokolona me kamionë ka nisur tek Ura Dajlanit dhe ka vijuar deri tek terminali i trageteve duke sjellë probleme edhe për qarkullimin e autoveturave. Para se çdo mjet të lërë portin e Durrësit detyrimisht duhet të kalojë nga pika e kontrollit elektronik që gjendet në të vetmen pikë dalëse në port për kamionë e autovetura. Është dashur ndërhyrja e specialistëve nga Tirana për të liruar mjetet që kishin zënë radhë që në orët e para të mëngjesit.

Skanerët

Skaneri kinez erdhi në formë dhurate nga Qeveria kineze dhe kishte një vlerë prej 3 milion euro dhe është vendosur në hyrje të sheshit të trageteve. Ai ka një urë në të cilën futen kamionët dhe kontenierët për tu kontrolluar. Skaneri tjetër i instaluar tek Ura e Dajlanit është i një lloji tjetër. Ai përbëhet nga dy pjesë dhe secila është montuar nga të dyja anët e aksit dalës nga porti me qëllim që çdo lloj mjeti të takojë midis dy pllakave të skanerit që përbëhen nga detektorë përgjues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›