E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregtarët në protestë, privati të na ulë qiranë

20/02/2009  Nënkryebashkiaku: Ne vetëm mund të ndërmjetësojmë

ELBASAN- Rreth 180 tregtarë ambulantë të tregut industrial, i cili ndodhet në pjesën jugore të qytetit të Elbasanit, kanë kërkuar takim me drejtuesit e bashkisë për një kërkesë të tyre të vazhdueshme për uljen e tarifës që paguajnë ndaj pronarëve të këtij tregu poshtë kryqëzimit të Cërrikut. Një përfaqësi e tyre është pritur nga nënkryetari i bashkisë së Elbasanit Serafin Papa. Tregtarët kanë ritheksuar problemet që ata kanë për pagesat e shtrenjta të qirasë dhe të taksave apo detyrimeve të tjera që kanë ndaj tatimeve. Ardiani thotë se problemet ekonomike, vendi ku ndodhet tregu dhe qiraja e shtrenjtë prej rreth 20 mijë lekësh në muaj e bëjnë mjaft të vështirë jetesën e familjeve të tyre. Tregtarët kanë kërkuar nga bashkia uljen e këtij detyrimi, por duke qenë se ky treg ka sipërmarrës privat atëherë nënkryetari e ka quajtur kërkesën e tyre të drejtuar gabim. Ai i ka thënë kësaj përfaqësia se roli që mund të kryejë bashkia është vetëm ndërmjetësimi. “Ne nuk mund ti diktojmë rregullat sipërmarrësve privatë, por mund tu propozojmë atyre të ulin këtë tarifë mujore nisur edhe nga arsyet objektive të tregtarëve të këtij tregu”, tha Papa. Ai ka deklaruar se bashkia Elbasan do të mundohet ti ofrojë edhe një zgjidhje tjetër në rast se nuk arrihet një marrëveshje me pronarët e këtij tregu. “Ky është roli që ne mund të kemi në këtë rast se nuk mund të bëjmë uljen e qirasë, e cila është një çështje e konkurrencës”. Tregtarët e tregut industrial ankohen për rënie drastike të të ardhurave. Ata kanë vendosur të protestojnë për padrejtësitë që sipas tyre u janë bërë në vite me zhvendosjen në pjesën e poshtme të qytetit ku edhe është regjistruar një rënie e shitjeve. Ata kanë deklaruar se do të kërkojnë një vend tjetër nga bashkia ku të vendosen më afër qendrës në mënyrë që të kenë shitje e të mund të mbijetojnë duke krijuar të ardhura për familjet e tyre. Ata ankohen për një rënie drastike të shitjeve dhe shumë prej tyre i ka çuar drejt tërheqjes nga ky lloj biznesi. Mbyllja e aktivitetit do të thotë 180 të papunë dhe 180 familje pa paratë e nevojshme për të përballuar jetesën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›