METE: Rritja e tarifave të energjisë për të mbuluar koston e importit
Objektivi i qeverisë shqiptare për privatizimin e sektorit të energjisë elektrike ka marrë në konsideratë edhe rritjen e tarifave të energjisë elektrike, të cilat do të synojnë që të mbulojnë kostot, si dhe eliminimin e ndërsubvencioneve ndërmjet grupeve të ndryshme të konsumatorëve. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, “rritja graduale e tarifave të energjisë elektrike bëhet për të mbuluar kostot, por kjo nuk do të vijë në mënyrë të menjëhershme”. Ky ishte një ndër arsyet kryesore edhe në zgjedhjen që qeveria shqiptare bëri për Modelin e Tregut të Energjisë Elektrike. Duke filluar nga 1 marsi i vitit 2008 tarifat e energjisë elektrike u rritën me rreth 16 për qind dhe në këtë rritje u mor parasysh dhe mbrojtja sociale. Për të mbrojtur konsumatorët familjarë vulnerabël ndaj rritjes së çmimit të energjisë elektrike, qeveria ka identifikuar për këtë kategori një grup prej 270 000 konsumatorësh dhe një skemë mbrojtëse sociale është krijuar për këtë kategori, por kjo skemë është në fuqi vetëm këtë vit pasi vitin që vjen qeveria nuk ka parashikuar asnjë lloj skeme subvencionuese për shtresat në nevojë.
Përkujdesja për mjedisin, AMC-ja prezanton strategjinë e riciklimit
Kompania “AMC” ka nisur projektin “Riciklo tani”, në kuadër të përkujdesjes për mjedisin. Ky projekt ka për qëllim reduktimin e sasisë së mbeturinave ne mjedisin që na rrethon, duke u fokusuar në uljen e përdorimit pa kriter të lëndëve të para brenda kompanisë. Faza e parë e projektit do të përqendrohet në riciklimin e letrës nën moton “Ripërdor-Redukto-Riciklo”. Në kuadër të përgjegjshmërisë sociale, AMC-ja u përmbahet politikave të saj për përdorimin e teknologjisë së gjelbër që nuk ka ndikime negative në mjedis. Riciklimi i letrës mbron pemët nga të cilat vjen lënda e parë, energjinë dhe ujin që duhet për prodhimin e letrës. Vetëm 1 ton letër e ricikluar shpëton 17 pemë, kursen 31 070 litra ujë dhe 4200 kilovat-orë energji. Ndërkohë që konsumi vjetor i letrës që përdoret brenda në AMC është 17 tonë, 40 për qind e kësaj sasie, ose 6,8 tonë, hidhet dhe shpërdorohet. Sipas statistikave, AMC-ja mund të kursejë çdo vit vetëm nga riciklimi i letrës që përdoret për printimin e dokumenteve, pa llogaritur letrën e përdorur për qëllime të tjera, 119 pemë, 217,00 litra ujë dhe 29, 400 kilovat-orë. Koshat e riciklimit në të cilat do të grumbullohen letrat e formateve të ndryshme, fletëpalosje, gazeta, revista etj., janë vendosur në çdo zyrë dhe dyqan të AMC-së. Mjaft e rëndësishme për këtë projekt është ulja e sasisë së letrës së përdorur, shmangia e shpërdorimit si dhe ripërdorimi i saj. Projekti realizohet së bashku me fondacionin zviceran “Terres des Hommes”, në ndihmë të fëmijëve të komunitetit rom dhe egjiptian. Të ardhurat që do të përfitohen nga riciklimi do të përdoren pikërisht nga ky fondacion për arsimimin dhe nevojat e tjera të këtyre fëmijëve.
Udhëtim me avion Tiranë-Prishtinë, tani nën 100 euro bileta
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, me qëllim uljen e çmimit të biletave për Tiranën dhe vendet e tjera të rajonit, prej kësaj jave do ta heqë taksën për udhëtarët në vlerën e 20 eurove. Këtë pritet ta bëjë edhe Aeroporti i Tiranës, i cili ka taksë për udhëtarët në vlerën e 16 eurove, gjë që do të çojë në uljen e biletës 30 për qind. Aktualisht, bileta për Tiranë kushton deri në 125 euro, vajtje-ardhje. Merret vesh se për të hyrë në fuqi heqja e taksës për udhëtarët pritet edhe nënshkrimi i një udhëzimi administrativ nga ana e ministrit të Transporteve dhe Telekomunikacionit kosovar, Fatmir Limaj. Drejtori menaxhues i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Agron Mustafa, deklaroi se aeroporti është i gatshëm të heqë taksën me qëllim uljen e çmimit të biletave me rajonin. “Ne jemi të interesuar të shpeshtojmë linjën aktuale prej Aeroportit të Prishtinës dhe aeroporteve të tjera në largësi prej 200 kilometrash, me qëllim shpeshtimin e linjave dhe të numrit të udhëtarëve”, - tha drejtori i ANP-së, Agron Mustafa.
25 Nentor 2008