E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një “Memoria in aeterna”

Rexhep Meidani 

Më kujtohet se diku nga vitet ‘90-të një profesor i Harvard-it (Joseph Nye) deklaronte se: “Koncepti bazë i fuqisë është aftësia për të ndikuar mbi të tjerët për të bërë atë që ju dëshironi. Ekzistojnë tri mënyra bazë për ta arritur këtë: për t’i kërcënuar ata me shkop, për t’i afruar ...duke përdorur karotën dhe për të ndërvepruar me synimin që edhe ata të duan atë, të cilën ju dëshironi. Nëse mund të tërhiqen dhe të tjerët që të duan atë që ju doni, një gjë është shumë më pak e kushtueshme se metoda e karotës dhe e shkopit”. Kjo është dhe rruga e tretë e arritjes së tjerëve atje ku dhe ju doni të arrini; prandaj një fuqi e tillë është dhe e ashtuquajtura “fuqi e butë”, në kontrast me “fuqinë e fortë” apo thjesht me “koercitivitetin” e fuqisë. Deri diku, çelësi real që përcakton diferencën midis fuqisë së butë dhe asaj të fortë është diplomacia, metodat e saj. Pikërisht kjo diplomaci, e një vendi sado të vogël, mori vlera qenësore gjatë krizës së Kosovës. Pozicionimet e saj, edhe pse në shumë raste ishin të përafërta apo të njëjta me ato të disa vendeve të fuqishme demokratike, ishin bazike e mbështetëse, rrezatuese e ushqyese. Deklarimet e saj jo vetëm regjistroheshin e konsideroheshin me kujdes apo analizoheshin në detaje, por dhe prodhonin reagimet e veprimet e duhura politike e diplomatike në skenën ndërkombëtare. Këtë kohë të veçantë të politikës e diplomacisë shqiptare, të papërsëritshme nga përmasa e rëndësia e saj për popullin shqiptar në aspiratën e tij historike për liri e pavarësi, pasqyron dhe libri i fundit i Paskal Milos, me titull: “Ditari i një Ministri të Jashtëm”. “Konflikti i Kosovës 1997-2001” (Botimet Toena, Tiranë 2009). 
* * *
   Siç e deklaron autori që në hyrje, botimi i këtij libri realizohet në prag përvjetorësh të shënuar për Kosovën, të tillë si: 17 shkurti apo përvjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, 23 shkurti i 10-vjetorit të “PO”-së historike të delegacionit shqiptar në Konferencën e Rambujesë dhe 9 qershori çlirimi i Kosovës nga sundimi kolonialist gati njëshekullor i Serbisë. Janë tri ngjarje jubilare shumë të rëndësishme për popullin shqiptar të Kosovës, por dhe mbarë kombin shqiptar, që janë të lidhura me njëra-tjetrën. Sidomos, me dy ngjarjet e fundit dhe arritjen e tyre përfshihen në libër vëzhgime e shënime të asaj periudhe, pozicionime e qëndrime të autorit si ministër i Jashtëm i Shqipërisë të asaj kohe. Dhe, mbi të gjitha, angazhimin tërësor të institucioneve kryesore të shtetit shqiptar, të vetë diplomacisë shqiptare, të mbarë shoqërisë e popullit shqiptar, me kulmin shfaqjen e një solidariteti historik, krejtësisht të paimagjinueshëm në ditët tona. Prandaj, që në fillim të ditarit të tij, autori i ditarit shpreh me të drejtë dhe disa shqetësime të vetat që, në thelb, sa sintetizojnë “harresë miqsh”, po aq dhe “shndërresë kujtese e vlerësimi”. Ja ç’ shkruan ai, konkretisht: “Kështu ka ndodhur në shumicën e rasteve edhe me Rambujenë e konfliktin në përgjithësi në Kosovë, ku kontributi i Shqipërisë e i popullit të saj ose është mohuar, ose është anashkaluar. Kjo është e padrejtë sepse Shqipëria i dha të gjitha çfarë kishte për të dhënë: ndau vuajtjet, dhimbjet, sakrificat e sfidat me shqiptarët e Kosovës, u dha strehë mbi 500 mijë shqiptarëve në mos më tepër, vuri në shërbim të aleatëve të NATO-s të gjithë territorin e saj, hapësirën ajrore e atë detare, priti e përcolli forca aleate, ushtarë e gjeneralë, liderë botërorë e diplomatë të së gjitha niveleve. Ajo u bë baza dhe prapavija kryesore e luftës, jo vetëm e shqiptarëve, por i të gjithë atyre që kërkonin që regjimi i Millosheviçit të ndëshkohej jo për hatër të popullit të Kosovës, por edhe për paqen e stabilitetin e Ballkanit, por edhe të Evropës”...
* * *
Nën një këndvështrim politiko-diplomatik, por dhe ndjesi thellësisht njerëzore ai u rikthehet shënimeve të veta për të lexuar ngjarjen dhe të vërtetat rreth saj. Jo thjesht për të pasqyruar një humanizëm, kontribut e solidaritet të madh e të gjithanshëm shqiptar, apo sakrificën sublime të atyre djemve dhe vajzave të UÇK-së, as për të rifreskuar një pjesë të memories kombëtare, politike e diplomatike, në Shqipëri dhe në Kosovë, apo për të korrigjuar shformimet e saj, të qëllimshme apo të paqëllimshme, as për të rikujtuar mizoritë tronditëse të formacioneve paramilitare, policore e ushtarake serbe mu në zemër të Evropës, por për t’i dorëzuar lexuesit detaje të atyre ngjarjeve, angazhimet e ndjesitë personale, ashtu siç kanë qenë të shkruara në ato radhë shënimesh, edhe pse shumë gjëra sot mund të lexohen në mënyrë shumë më të qetë, pa emocionet e mëdha të atyre ditëve historike. Bile, duke iu rikthyer atyre radhëve të radhitura në këtë libër, në hyrjen e vet ai ngul këmbë: 
  “Ndaj e kam quajtur një obligim që të dëshmojë historinë që e kam përjetuar dhe që duke u përpjekur të mos përsëris “uni”-n, egocentrizmin e të tjerëve, të tregoj atë çfarë ka ndodhur, çfarë kam dëgjuar e çfarë kemi thënë e çfarë kemi bërë tetë ose dhjetë vjet më parë....kur Shqipëria, kombi shqiptar, Kosova u përfshi në një ngjarje me përmasa historike jo vetëm kombëtare, rajonale, por dhe evropiane e ndërkombëtare. Duheshin gati njëqind vjet që të vinte kjo ditë. Ajo më gjeti në një detyrë kyçe qeveritare. Do të varej nga shteti shqiptar, nga qeveria, nga kolegët e nga unë nëse do të dinim ta përballonim atë. Ne ia dolëm”...
* * *
    Duke e parë tashmë ditarin të radhitur në trajtë libri nuk mund të lihen mënjanë edhe konsiderata të tjera që lidhen me përkujdesjen gjuhësore të autorit, me thjeshtësinë e saktësinë e komentimit apo stilin e depërtimit dhe këndshmërinë e leximit të tij. Parë në tërësi, ai “është ditari i një Ministri të Jashtëm në krye të një diplomacie aktive e energjike, të përgjegjshme dhe të mirë-peshuar, në një periudhë historike, intensive e delikate, emocionale dhe të madhërishme, për fatin e Kosovës dhe të kombit shqiptar”, por është po ashtu dhe ditari i një historiani e pedagogu të talentuar, që lufton për të pasqyruar vërtetën dhe shtrirjen e saj...
    Sidoqoftë, pavarësisht të ndonjë saktësimi më të vonshëm, autori me këtë “shkrirje në të nxehtë” shënimesh, diku më të hollësishme e diku më të shpejta, merr përsipër, siç pretendon dhe vetë, që “të dëshmojë historinë e përjetuar, pa përsëritur “uni-n”, egocentrizmin e të tjerëve”. Dhe, mbi të gjitha, të tregojë e dokumentojë atë çfarë ka ndodhur, çfarë është thënë e bërë, mirë ose keq, gati një dhjetëvjeçar më parë. Aq më tepër, që në pozicionimet e ndryshme institucionale mund të shfaqeshin aty-këtu dhe llojshmëri më specifike, që e pasuronin dhe e zhdërvjelltësonin reagimin shqiptar, e fuqizonin atë në fushën e lojës apo e mençuronin dinamikën e tij brenda skenës politiko-diplomatike rajonale e ndërkombëtare. Pavarësisht, se me gjithë prirjen pozitive që “t’i jepet Cezarit, ajo që i takon Cezarit”, si  pjesëtar e protagonist, spektator e aktor i ngjarjeve të mëdha, ai e ka pasur në ndonjë rast jo aq të lehtë t’i shmanget leximit të ndonjë reagimi e sjelljeje me ndonjë notë subjektive apo qoftë dhe perceptimit të vetë ngjarjes. Sepse, me gjithë merakun e historianit, nuk është gjithmonë e thjeshtë që të mos shmanget dhe ndonjë vëzhgim, përfytyrim apo lexim për një ngjarje të dhënë; aq më tepër, siç thotë autori, që “duke e vënë veten në qendër të saj, çka rrezikon që edhe pa dashje të harrojë se ka pasur edhe aktorë të tjerë qendrorë të dramës ose kontribuues të rëndësishëm në realizimin e saj”. Por, kjo është sa njerëzore, aq dhe e kuptueshme, kur bëhet fjalë për ngjarje të përmasave të tilla rrallë të përjetuara në historinë e një populli e kombi...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›