E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreziku i ndërtesave-muze, bie urdhri për shembjen

 

Bllokohet shembja e ndërtesave muzeale në Gjirokastër, të cilat paraqesin rrezikshmëri serioze për banorët. Specialistë të Bashkisë së Gjirokastrës kanë garantuar se aksioni për rrëzimin e 12 banesave do të ndalet. Duket se shkaku është gjendur në mundësinë reale të gjetjes së fondeve për t’i shndërruar ato në identitet. Ka qenë një iniciativë e Bashkisë së Gjirokastrës, e cila është marrë në konsideratë në Drejtoria e Monumenteve të Kulturës së bashku me Zyrën e Administrimit dhe Koordinimit të qytetit muze, që ka në thelb pikërisht transformimin e monumenteve të hershme të kulturës gjirokastrite. Me mundësinë e çeljes së fondeve për restaurim, specialistët e monumenteve të kulturës dhe Bashkisë së Gjirokastrës kanë bllokuar shembjen e kontrolluar të 12 banesave karakteristike. Këshilli i Rregullimit të Territorit në Bashkinë e Gjirokastrës ka miratuar para disa kohësh shembjen e kontrolluar të 12 banesave të gurta, pasi gjendja e tyre konsiderohet rrezik shembjeje. Paraprakisht nga institucionet e monumenteve të kulturës grupi i banesave të gurta ishte shpallur nga ana e specialistëve si mjaft i rrezikshëm, çka mund të shkaktonte edhe dëmtime në njerëz apo dhe kalimtarë të rastit. Por me dëshirën e mirë për të ruajtur vlerat e trashëgimisë kulturore dhe mundësinë e akordimit të fondeve për restaurimin e tyre nga ana e qeverisë shqiptare, specialistët e monumenteve të kulturës dhe pushtetit vendor kanë ndërhyrë për momentin vetëm për shembjen e kontrolluar të banesës së Koloit, në lagjen “Varrosh”. Sipas përfaqësuesve të këtyre institucioneve, procesi i shembjes së kontrolluar i banesave të tjera do të bllokohet përkohësisht, në mundësinë e akordimit të fondeve për restaurimin dhe kthimin e tyre në identitet. Shembja e banesave në zonën historike të qytetit startoi pak ditë pas tragjedisë së 9 nëntorit të vitit të kaluar, ku humbën jetën tri persona dhe u plagosën 6 të tjerë si pasojë e rrënimit të një pallati në lagjen “11 Janari”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›