Blloku “ Joni 5”, zbulohen rezerva nafte dhe gazi ne bregdetin shqiptar
Kërkimet në Bllokun detar Joni 5, ku prej kohësh mendohet se gjenden rezerva të konsiderueshme nafte, duket se janë pranë kalimit në fazën e dytë, atë të shpimit të pusit, ndërkohë që sipas ekspertëve, zona mund të rezultojë edhe e pasur me rezerva gazi. Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKB), e cila ndjek hap pas hapi burimet e kërkimit, deklarata zyrtare për kalimin në fazën e dytë nuk është bërë ende nga kompania që kryen kërkimet, por kanë nisur përgatitjet për shpimin e pusit. Për Fatbardh Ademin, drejtorin e Drejtorisë së Hidrokarbureve pranë AKB-së, zhvillim domethënës është studimi mjedisor që ka nisur kompania kërkuese, bashkë me kontaktet me qeverinë vendore e nënkontraktotrët e nevojshëm në rastin e vazhdimit të mëtejshëm të punimeve. “Kompania ka nisur të marrë kontakte në Vlorë, ka kontraktuar një kompani për kryerjen e studimeve mjedisore, po merr në shqyrtim kushtet logjistike, operacionet në vazhdimësi, po këqyr nënkontraktorët, si dhe po njihet me tarifat e shërbimeve të ndryshme. Shpresojmë që deri në vitin 2012 do të kemi një pus në atë bllok dhe shpresojmë që bashkë me të, të kemi edhe një zbulim”, shprehet Fatbardh Ademi.
Blloku Joni 5, “2 deri në 3 struktura me interes”
Blloku Joni 5 është një prej pesë zonave detare të bregut tonë, ku shteti ka licencuar kompani të ndryshme për të kërkuar rezerva nafte e gazi, e cila nis në Karaburun dhe përfshin të gjithë pjesën e Jonit deri në Sarandë. Fatbardh Ademi shpjegon se zona e parë e kërkimeve të hapura në Shqipëri është pikërisht ajo detare. Studimet nisën në vitet 1988-1989, ndërsa kontratat e para janë firmosur në vitet 1990-1991. Në atë kohë, zona jonë detare u nda në pesë blloqe kërkimi, të cilat janë emërtuar Rodoni 1, Adriatiku 2, Adriatiku 3, Adriatiku 4 dhe Joni 5. Eksperti shpjegon gjithashtu se sot, nuk është ruajtur struktura fillestare e ndarjes: “Sot për sot, kërkohet në dy zona, kemi dy kontrata, njëra është Joni 5 dhe një tjetër që ne e quajmë Durrësi, e cila përshin një pjesë të bllokut Rodoni 1, një pjesë të Adriatikut 3 dhe një pjesë të Adriatikut 4, ku kërkohet edhe në këtë zonë”.
Sipas drejtorit të Drejtorisë së Hidrokarbureve, deri tani, kompania “Capricorn Albania Limited”, e licencuar nga shteti për kërkimet në bllokun Joni 5, ka investuar mbi 10 milionë dollarë, ku përfshihen kostot e studimeve, analizat, sizmika, të gjitha llojet e kostove teknike e njerëzore. Faza e kërkimit, që me ligj është deri në 7 vjet, ndahet zakonisht në tri periudha, të cilat mund të zgjasin 2-3 vite secila. Në rastin specifik të Joni 5, kompania, fazën e parë, e ka pasur dy vite. “Kemi kontakte të vazhdueshme e të shpeshta me kompaninë, ku ajo na është bërë me dije se është optimiste dhe mendon se së shpejti do të marrë vendimin për të kaluar në fazën tjetër të kërkimit”, vazhdon eksperti. Kompania është nën detyrimin kontraktual që të kryejë punime sizmike me metodën e re që quhet sizmikë 3D. Falë kësaj teknologjie të avancuar kuptohen strukturat nëntokësore të zonës ku zhvillohen kërkimet.
Ademi nënvizon se mendohet që në zonë gjenden 2 deri në 3 struktura, të cilat kompania i sheh me interes: “Ka edhe struktura të tjera, por këto mendohen si më të mirat. Shoqëria ka realizuar sizmikën, të gjitha ndërtimet, analizat dhe interpretimet e nevojshme. Tani është duke shqyrtuar të gjitha të dhënat e grumbulluara për të vendosur për t’u hedhur në fazën tjetër. Kjo është dhe faza e dytë e kërkimit, ku parashikohet vazhdimi i punimeve përmes shpimeve, për vërtetimin e të dhënave”.
Jo vetëm naftë, edhe gaz
“Probabiliteti më i madh është që në bllokun Joni 5 të zbulohet naftë, por nuk përjashtohet as mundësia që të ketë edhe përmbajtje gazi”, shton Fatbardh Ademi. Ai nënvizon se diçka e tillë do të ishte zhvillim tepër pozitiv në rang vendor. Kjo edhe pse Shqipëria nuk ka një treg të mirëfilltë gazi. “Kemi studime të kompanive lidhur me mundësinë e gjetjes së tregut të gazit, duke qenë se në rastin e investimeve të rëndësishme, bëjnë edhe planet afatgjata për mundësitë e shfrytëzimit në rastin e zbulimit. Ademi shpjegon se mundësia më e mirë dhe më e shpejtë në këtë rast do të ishte ndërtimi i termocentraleve për prodhimin e energjisë elektrike me gaz, ndërkohë që TEC-i i Vlorës është parashikuar të punojë me naftë, por është me cikël të kombinuar, që do të thotë se mund të kthehet edhe me gaz. Nga ana tjetër, ai përmend edhe projektet për të kaluar gazsjellës nëpër Shqipëri, që do të thotë se duke qenë të lidhur drejtpërsëdrejti në tregun ndërkombëtar, çdo zbulim gazi mund të kalohet në gazsjellësin magjistral dhe të shitet në vende të ndryshme.
“Kemi një kompani që po punon në Delvinë, zonë me burime gazi, e cila duke parë kostot e larta të tubacioneve për ta shpërndarë gazin nëpër territor, po sheh mundësinë e ndërtimit të gjeneratorëve të vegjël me gaz në zonën e burimeve”, shpjegon Ademi. Sipas tij, në Delvinë, janë shpuar pak puse, por ka mbi 20 vjet që prodhohet gaz, me sasi të vogla, por me presione konstante, që do të thotë se zona ka potencial. Aktualisht gazi i Delvinës, por edhe i gjithë gazi që prodhohet në Shqipëri, bashkë me atë që prodhon “Albpetroli”, shkon në Rafinerinë e Ballshit për t’u përdorur në procesin teknologjik të distilimit të naftës.
Investime me risk të lartë
Drejtori i Drejtorisë së Hidrokarbureve thotë se kalimi nga një fazë në tjetrën është opsional dhe është një vendim që merret tërësisht nga kompania kërkuese. Mund të ndodhë që kompania të vendosë të mbyllë kërkimet që në fazën e parë, në bazë të rezultateve të arritura deri aty. Në këto raste, paratë humbasin, gjë që firmat e dinë më së miri pasi kërkimet në naftë kanë risk të lartë. “Ka disa raste në Shqipëri, në të cilat kompanitë janë larguar pa arritur të bëjnë zbulime. Është ky risku i kërkimit edhe në det edhe në tokë. Ose kanë bërë zbulime të cilat janë konsideruar jo fitimprurëse nga pikëpamja ekonomike”, thotë Ademi.
Eksperti shpjegon se në total, investimi në kërkime rezervash nafte e gazi në Shqipëri i ka kaluar 500 milionë dollarët. “Edhe në det kemi pasur një zbulim, që tani përfshihet në zonën e Durrësit, i cili u konsiderua nga kompania kërkuese si zbulim jokomercial. Kemi pasur një zbulim në tokë, që nga kompania është konsideruar jokomercial”.
Sidoqoftë, megjithëse në pamje të parë duken investime të humbura, mbeten shumë të vlefshme, pasi kanë prodhuar të dhëna të çmuara në këtë industri. “Sot një kompani e interesuar nuk vjen më në Shqipëri në ato kushte që gjente përpara dhjetë vitesh. Çdo e dhënë e re që merret pasuron hartën e burimeve në vendin tonë”, përfundon Ademi.
Fitimet e shtetit
Të gjitha këto investime tregojnë se nga industria e naftës, Shqipëria konsiderohet vend me burime të rëndësishme nga ana e kompanive botërore. Sipas Ademit, në momentin që gjenden rezervat e naftës, kompania bën vlerësimin e sasive të gjetura, nëse në bazë të llogarive sasitë janë të mjaftueshme për të garantuar fitime, përcaktohet me saktësi zona e burimit dhe kalohet në fazën e zhvillimit. Bëhen investime për shpimin e një numri të caktuar pusesh dhe pastaj vjen faza e prodhimit. Fatbardh Ademi shpjegon se në bazë të sistemit ligjor që aplikon shteti shqiptar, me fillimin e prodhimit, shteti merr 10% të fitimeve nga shitjet. Kompania koncesionare rikuperon kostot për një periudhë 3 deri 5-vjeçare, hapësirë që përcaktohet nga kostot specifike dhe potenciali i vendburimit. “Pas kësaj periudhe, shteti vjel tatimin mbi fitimin, i cili në industrinë e naftës është 50%. Pra shteti merr gjatë gjithë kohës 10% dhe pas shlyerjes së investimit merr 50% të vlerës së shitjeve”, shpjegon Ademi.
Por përfitimet në rang vendor nuk kufizohen vetëm nga të ardhurat që i vilen koncesionarit. Sipas drejtorit të Drejtorisë së Hidrokarbureve, ndikimi ekonomik në rastin e zbulimit të naftës në bllok do të ishte me peshë të madhe, jo vetëm prej shfrytëzimit të koncesionit, por ngaqë në raste suksesi, kompanitë kontraktojnë dhjetëra, deri edhe 100 kontraktorë, një pjesë e mirë e të cilëve padyshim do të jenë shqiptarë. “Në përgjithësi, në një bllok ku ka zhvillim, ndodh nxitje e fortë ekonomike e gjithë zonës”, përfundon Ademi.
Naftë-Gazmbajtësja
Shqipëria është e njohur si një provincë naftë-gazmbajtëse, që nga kohët romake, kur nafta e rëndë dhe asfaltet e Selenicës janë përdorur për ndriçim. Zbulimi i parë i naftës në Shqipëri është bërë në Drashovicë, në vitin 1918. Në vitin 1927 dhe 1928, janë zbuluar,
respektivisht, vendburimet e naftës së Kuçovës dhe Patosit, me rezervuarë në shkëmbinjtë e Miocenit të Sipërm. Vendburimi i Marinzës, që përfaqëson
vendburimin më të madh të naftës në Shqipëri, është zbuluar në vitin 1957. Vendburimi
i Visokës përfaqëson vendburimin e parë të naftës brenda prerjes karbonatike dhe është zbuluar në vitin 1963, i ndjekur nga zbulimet e tjera, si në Gorisht (1965), Ballsh (1966), Finiq-Kranë (1974), Cakran-Mollaj (1977), Amonicë (1980) dhe Delvinë (1987). Pas zbulimit të parë të gazit më 1963, në ranorët e Tortonianit në Divjakë, u bënë zbulime të tjera të tilla si në Frakull (1972), Ballaj (1983), Povelcë dhe Panaja, në vitin 1987 dhe Durrës në vitin 1988. Me shpimin dhe testimin e pusit A4-1x në vitin 1993 nga AGIP dhe Chevron, në bllokun detar Adriatiku-4, u provua gazmbajtje dhe naftë e lehtë (kondensat) në ranorët e Mesinianit.
Bazuar në studimet gjeologjike, punimet sizmike të kryera nga “Albpetrol” dhe ato të kryera nga kompanitë e huaja në këto vitet e fundit, rezulton se Shqipëria, përveç vendburimeve ekzistues të naftës dhe gazit, ka potencial të konsiderueshëm dhe përbën një provincë me premisa të mëdha për kërkimin e mëtejshëm të hidrokarbureve, si në tokë, edhe në det.
Kërkimi i gazit në det lidhet me strukturat e rrudhosura të Miocen-Pliocenit, të identifikuara si nga punimet sizmike 2D të vitit 1992 dhe të konfirmuara nga sizmika e re 3D, kryer kohët e fundit. Duke pasur parasysh që dimensionet e strukturave të prognozuara në det janë më të mëdha se ato të vërtetuara në vendburimet ekzistues të gazit në tokë, në det janë të pritshme rezerva të konsiderueshme gazi biogjenik ose termogjenik.
26 Korrik 2010