Pjerin Ndreu: Objektivi im, fitore në zgjedhjet vendore
Objektivi kryesor është që Partia Socialiste e rrethit të Tiranës të fitojë zgjedhjet e ardhshme vendore. Ky është synimi i shprehur nga kreu i sapozgjedhur kësaj dege, Pjerin Ndreu. Në një intervistë për gazetën “Albania”, Ndreu bën të ditur hapat që do të ndërmerren për ristrukturimin e kësaj strukture dhe strategjinë që do të ndiqet. Ish-drejtuesi i strukturave të rendit deri në vitin 2005, e konsideron një proces të natyrshëm përfshirjen dhe zgjedhjen në krye të degës më të madhe të PS-së në të gjithë vendin. Kreu i PS-së së rrethit të Tiranës pohon se do të jetë pjesë aktive e përpjekjeve që po bën opozita për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit 2009, ku në Qarkun e Tiranës socialistët kanë lëshuar akuza të ashpra ndaj mazhorancës për manipulimin e kutive të votimit.
Sapo jeni zgjedhur kryetar i rrethit të Tiranës. Çfarë angazhimet keni marrë përpara anëtarësisë socialiste në momentin që u zgjodhët?
Angazhimi do jetë përkushtimi, bashkë me faktorë të tjerë që drejtojnë në Tiranë, që Partia Socialiste e rrethit të Tiranës të arrijë objektivat e duhura në betejat e ardhshme elektorale. Tashmë, ka një traditë, një përvojë dhe njerëzit e duhur për të punuar. Mendoj se do të bëjmë më të mirën e mundshme.
Zoti Ndreu. Ju vini nga një eksperiencë në strukturat e rendit dhe prej pak vitesh jeni në politikë. Zgjedhja juaj në krye të PS-së së Tiranës, erdhi si një imponim rrethanash pas mos-arritjes së rezultateve të opozitës në zgjedhjet e kaluara, apo si një proces i natyrshëm në zhvillimet brenda PS-së?
Do ta quaja si një zhvillim të natyrshëm. Unë konkurrova dhe fitova. Ishte dëshira ime, vendimi i kryesisë për të më përzgjedhur si kandidaturë dhe votat e anëtarëve të Asamblesë që më zgjodhën. Pra, shihet qartë se bëhet fjalë për një proces të natyrshëm.
Partia Socialiste nuk arriti të fitojë më shumë mandate se mazhoranca në Qarkun e Tiranës gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Cilat shkaqe sollën këtë rezultat?
Shkaku kryesor është ai i manipulimit, blerjes dhe vjedhjes së votave në disa zona periferike ku, nën influencën e disa të zgjedhurve lokalë të PD, u bë gjithçka që të tjetërsohej vota. Në fakt, Partia Socialiste realisht ka fituar, dhe kjo do të verifikohet, besoj edhe në zgjedhjet e tjera.
PS ka akuzuar vazhdimisht mazhorancën se ka kryer vjedhje votash në Qarkun e Tiranës. (rasti konkret është Ndroqi apo Bregu i Lumit). A keni ndonjë nismë konkrete në funksion të kauzës socialiste për transparencën e zgjedhjeve parlamentare, në rrethin që ju drejtoni Partinë Socialiste?
Natyrisht që ka ndodhur diçka e rëndë. Tashmë, gjithkush e di në këtë vend apo edhe jashtë Shqipërisë. Por, vetëm mazhoranca nuk do t’ia dijë. Nismat tona janë derivat i vendimeve të forumeve të Partisë Socialiste dhe ato do të jenë në harmoni me to. Mendoj se nuk kam pse flas për ndonjë nismë të veçantë kur tashmë dihet se çfarë përpjekjesh po bën Partia Socialiste për të realizuar transparencën.
Vetëm pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet lokale të vitit 2011. Çfarë objektivash ka PS-ja e rrethit të Tiranës?
Objektivi ynë kryesor është për të fituar zgjedhjet e ardhshme vendore. Një sukses i tillë do të paraprihet me një ristrukturim të partisë së rrethit të Tiranës dhe rikompozimi të strategjisë së të punuarit, bashkë-vepruarit etj..
LSI vijon akuzat ndaj Ramës: Të deklarojë pasurinë e tij
TIRANË – Në vijim të reagimit kundër akuzave ndaj ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, drejtori i Përgjithshëm i Politikave Tregtare në ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Besjan Pesha, përfaqësues i LSI-së, i kërkoi kryetarit të PS-së dhe të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama të deklarojë pasurinë dhe të mos përhapë panik vetëm për të fshehur të vërtetën e tij. Nga Parku Rinia, duke i cilësuar gënjeshtra deklaratat e kreut të opozitës mbi situatën ekonomike në vend, Pesha theksoi se “të gjithë shqiptarët e dëgjuan rishtas Edi Ramën teksa i gënjeu në konferencën e radhës për shtyp dhe teksa përpiqej t’i trembte ata dhe të gjithë investitorët e huaj mbi situatën ekonomike në Shqipëri”. “Edhe pse jemi dëshmitarë se dita ditës dhjetëra investitorë po vijnë, po investojnë kapitalet e tyre në vendin tonë dhe po hapin vende të reja pune, zoti Rama tenton që të hedhë dhe mbjellë panik në Shqipëri, për të fshehur problemin e tij të vërtetë, që është problemi që ka me drogën dhe me paratë e fshehura”, - tha Pesha.
Ai i bëri thirrje publikisht Ramës, që “t’i lërë pallavrat me donacione gjaku, sepse të gjithë ata që dhurojnë gjak e dinë shumë mirë se është e pamundur që të vërtetosh nëse je i toksikuar apo jo nëpërmjet atyre analizave. Ka vetëm një analizë të vërtetë që bëhet në laboratorë të specializuar dhe e ftojmë zotin Rama, që ta bëjë këtë analizë publikisht për t’u vërtetuar shqiptarëve njëherë e mirë që ai nuk është person i droguar”.
Ndër të tjera Drejtori i METE-s, tha se: “Edhe nëse kishim ndonjë hije dyshimi se ai drogohej, por nuk drogohej më kohët e fundit, tashmë jemi të bindur që zoti Rama përdor drogë në mënyrë të rregullt”.
Përfaqësuesi i LSI-së, në METE, i bëri thirrje Ramës që të deklarojë pasurinë e tij të vërtetë, ta nxjerrë atë nga shtëpia e blinduar ku e ka futur, e tua deklarojë të gjithë shqiptarëve dhe të depozitojë paratë e tij, milionat e eurove, në bankë. Prej disa ditësh ka nisur një valë akuzash mes PS-së dhe deputetit të LSI-së, njëherësh ministër i Ekonomisë, zotit Dritan Prifi. Gjithçka nisi pas publikimit të formularit të deklarimit të pasurisë së ministrit, i cili rezultoi me një pasuri të deklaruar prej 1.8 milionë eurosh, të fituara nga shitja e aksioneve të një kompanie. PS vijoi akuzat, duke bërë publike edhe prova të tjera, të cilat, sipas deputetëve të opozitës, flasin për rritje të pasurisë duke përdorur pushtetin.
26 Korrik 2010