E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodheli: “Shkurtimet në buxhet nuk mbulojnë dëmet nga përmbytjet në Shkodër”



Eneida Jaçaj

Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli deklaroi dje se shkurtimet në buxhetin e vitit 2010 nuk mund të mbulojnë dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në zonën e Shkodrës dhe nën Shkodrës. Kodheli shprehu shqetësimin se shkurtimet në këtë buxhet nuk mund të zgjidhë krizën ekonomike, për të cilën qeveria ëshë vetë përgjegjëse. Ndërkaq, edhe ditë më parë Partia Socialiste ka deklaruar se ekonomia e vendit rrezikon të falimentojë.
Deklarata
“Këtë dimër e pranverë ne u bëmë të gjithë dëshmitarë të hidhëruar të përmbytjeve të njëpasnjëshme të ultësirës së nën Shkodrës, së fushave të Korçës, së luginës së Vjosës, së ultësirës perëndimore e Lezhës. Pushteti i Berishës, pas rishikimit të buxhetit i shkurton fondet për pastrimin, riparimin e ngritjen e kanaleve e argjinaturave me 67% më pak për të gjithë ato dhjetëra mijëra familje, të cilat Berisha e Prifti i përmbytën dhe u shkatërruan shtëpitë, tokat e prodhimin e një viti”, - u shpreh Kodheli. Sipas saj, shkurtimi i fondeve të buxhetit nuk do të parandalojë përmbytjet e shqiptarëve, të cilat për faj të qeverisë mund të përsëriten sërish. “67% më pak fonde për të parandaluar përmbytjet që pushteti Berisha të shpëtojë veten nga gropa, ku e ka hedhur paaftësia, keqmanaxhimi i fondeve publike e korrupsioni, i cili sot po i zhyt shqiptarët më thellë, thjesht dhe vetëm për një grusht para më tepër. 67% më pak fonde për një milion e gjysmë shqiptarë, që Berisha e të tijët të vjedhin edhe qindarkën e fundit, ndërsa vendi thellohet në krizë.
Dhe nëse vjeshtën që vjen zonat e Shkodrës, Lezhës dhe Korçës do të përmbyten sërish, ashtu siç është bërë tashmë zakon, fajin nuk do ta ketë as hëna, as deti dhe as reshjet, por papërgjegjshmëria e këtij pushteti që ka shkurtuar treçerekun e fondeve që do të parandalonin përmbytjet”, - u shpreh deputetja Kodheli.
Papunësia
Deputetja Kodheli akuzoi se është vetë përgjegjëse për hartimin dhe rishikimin e buxhetit të vitit 2010, i cili nuk i jep zgjidhje krizës ekonomike. Mbi të gjitha, ajo vuri theksin te rritja e papunësisë në sektorin e bujqësisë, sektor i cili punëson më shumë njerëz. “Çdo shqiptar e di se bujqësia është sektori që punëson më shumë njerëz në këtë vend. Sipas statistikave zyrtare, ky sektor punëson 496,190 vetë, ose 48% të të punësuarve gjithsej. Pra, bujqësia është sektori që ushqen më se gjysmën e familjeve shqiptare, ç'ka e bën sektor kyç për zhvillimin e vendit. Vetë qeveria Berisha e ka cilësuar shumë shpesh bujqësinë si sektor prioritar. Megjithatë, rishikimet e buxhetit 2010 tregojnë edhe njëherë se pushteti Berisha tjetër bën e tjetër thotë”, - u shpreh Kodheli, duke deklaruar se vetëm gjatë tremujorit të fundit të 2009-ës, në bujqësi janë humbur më se 73,000 vende pune. Kështu sipas saj, fondet e bujqësisë janë ulur më shumë se 25%. “Bujqësia e bashkë më të afër gjysmë milioni shqiptarë të punësuar e më shumë se 1 milion të tjerë që mbahen gjallë me të, po goditen rëndë me një shkurtim të paimagjinueshëm të fondeve për zhvillimin e sektorit. Nga parashikimi origjinal i qeverisë, plani i investimeve në bujqësi ka mbetur veç 45% e tij, pas gërshërëve të Bodes e Berishës”, - tha Kodheli.

Koçi: “Qeveria hesht ndaj aferës korruptive të ministrit Dritan Prifti”

Partia Socialiste i bën thirrje qeverisë të luftojë korrupsionin duke filluar nga ministrat e tij. Në këto kushte edhe kur qeveria hesht, deputeti socialist, Ervin Koçi i bën thirrje organeve të drejtësisë të hetojë pasurinë e ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. “Në më pak se 1 vit si ministër i qeverisë Berisha, Dritan Prifti u pasurua më së paku 2.5 mld lekë nga shitja e aksioneve të një biznesi, ku nuk ka investuar asgjë veç influencës së tij politike, të një biznesi që nuk ka funksionuar apo prodhuar në asnjë moment. Dritan Prifti, ky ministër i qeverisë Berisha-Meta emëroi kushëririn e një tjetri ministër të qeverisë Berisha-Meta, në këshillin mbikëqyrës të OST dhe paguhet 3 muaj më vonë prej kushëririt në fjalë me 2.5 mld lekë për aksionet e një biznesi që vetëm sa vegjeton”, - u shpreh Koçi, duke shtuar se heshtja e Sali Berishës për këtë aferë është prova më e mirë e bashkëfajësisë së tij në këtë vorbull korrupsioni që po pasuron një klik familjarësh e oborrtarësh në kurriz të një populli të tërë. Më tej, deputeti Koçi i është referuar edhe aferës tjetër korruptive ku përfshihet Prifti dhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. “Ministri i Mbrojtjes nuk ka lenë aset të ushtrisë pa e nxjerre në shitje. Dhe kush e vendos në fakt çmimin e shitjes për qindra godina të ushtrisë dhe mijëra metër katrorë toke të ushtrisë? Sigurisht, Dritan Prifti. Dhe duke patur parasysh se vetëm në një vit, vetëm përmes një shitjeje, Dritan Prifti fitoi 2 miliard e gjysëm lekë, imagjinoni çdo jetë në gjendje të bëjë ky njeri me të gjitha asetet e ushtrisë që Arben Imami ka nxjerrë në shitje”, - tha Koçi, duke theksuar se heshtja e prokurorisë dhe indiferenca e saj e pa pranueshme kundrejt këtij rasti e bën atë po aq fajtore për korrupsionin që mbretëron sot në Shqipëri.

Bashkia: Gjykata e Tiranës të zbardhë akuzat ndaj kryebashkiakut Edi Rama

Bashkia e Tiranës përmes një deklarate i ka bërë dje thirrje Gjykatës së Rrethit të Tiranës që të zbardhin sa më shpejt akuzat shpifjet e nëntë zyrtarëve të maxhorancës, ndaj kryebashkiakut Edi Rama, paditë e të cilëve qëndrojnë prej kohësh ende të pahapura në sirtaret e kësaj gjykate. Në njoftimin e Bashkisë jepet lista e plotë e emrave të të paditurve, që sipas bashkisë kanë shpifur dhe akuzuar padrejtësisht kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Të paditurit janë Sali Berisha, Sokol Olldashi, Aldo Bumçi, Ferdinand Poni, Gerti Bogdani, Florion Mima, Lajla Përnaska, Erla Mëhilli dhe Dritan Prifti. “Kaloi edhe një javë tjetër, që e vërteta vazhdon të mos dalë në shesh. Kaloi edhe një javë tjetër që e pavërteta dhe shpifja baltosin shoqërinë tonë dhe opinionin publik”, - shprehet Bashkia e Tiranës në njoftimin për shtyp.

26 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›