E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikonin klandestinë drejt Greqisë, pranga 3 fierakëve

• Zbulohet një rrjet i gjerë i trafikut të qenieve njerëzore përmes kufirit shqiptaro-grek.GJIROKASTER/ PIRO NASE Burime zyrtare të Policisë së Gjirokastrës pohojnë se organizatorët e këtij rrjeti ilegal të trafikut janë prangosur, në tentativë për të kaluar 15 klandestinë përtej kufirit. Mbrëmjen e së shtunës, Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar, në bazë të informacioneve disamujore për ekzistencën e një rrjeti të mirorganizuar për trafikun klandestin drejt Greqisë, ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Fundjava e Blertë”. Në bashkëpunim me Policinë e Fierit u ndaluan Ilir Myrtaj, 28 vjeç, Artan Lamçe dhe Qani Diko, 37 vjeç. Mësohet se i pari u ndalua Myrtaj, mbrëmjen e së shtunës, kur po shoqëronte për të kaluar ilegalisht kufirin drejt Greqisë, 15 shtetas nga rrethe të ndryshme të vendit. I gjithë ky kontingjent është shoqëruar për në ambientet e Komisariatit të Policisë së Gjirokastrës ku janë marrë në pyetje. Pas analizimit të të gjithë situatës u mësua se të gjithë shtetasit që kërkonin të kalonin për në Greqi, ishin nisur nga Fieri nën patronazhin e Alfred Lamçes, i cili sipas policisë është organizatori kryesor i këtij trafiku. Ndërkohë Qani Diko dhe Ilir Myrtaj kanë kryer rolin e shoqëruesit kundrejt një shumë të konsiderueshme të hollash. Qendra e këtij rrjeti ishte Fieri dhe kjo ka qenë arsyeja që në operacionin e koduar, kanë qenë të angazhuara edhe uniformat blu të këtij rrethi. Sipas të dhënave të konfirmuara zyrtarisht, ky rrjet përdorte të gjitha drejtimet e mundshme të lëvizjes së klandestinëve si aksin Fier-Tepelenë-Gjirokastër–Kakavijë drejt kufirit të gjelbër, ashtu dhe rrugën e vjetër alternative Fier-Vlorë-Sarandë. Pika ku takoheshin të gjithë klandestinët ishte fshati Jorgucat rreth 5 km larg kufirit me Greqinë. Aty, në bazë të direktivave të dhëna nga personat e arrestuar, klandestinët përshkonin me këmbë rrugën në distancën e mësipërm në drejtim të vijës së gjelbër të kufirit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›