E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klandestinët, “Gimi i Fates” fillon betejën me Prokurorinë

• TIRANE - Personazhi i njohur me emrin “Gimi i Fates”, një nga të arrestuarit kryesorë të operacionit “Klandestini”, ka filluar një betejë ligjore me Prokurorinë në Gjykatën e Krimeve të Rënda.Pak ditë më parë përmes avokatit të tij, Agim Sufa (Myrto), i njohur edhe me emrin “Gimi i Fates” ka bërë një ankesë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ai ka kundërshtuar vendimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për zgjatjen e afatit të hetimeve që po zhvillohen lidhur me linjën e trafikut të klandestinëve në rrugë detare dhe tokësore nga Shqipëria drejt Italisë. Gjatë muajit janar të këtij viti policia arrestoi me urdhër të prokurorisë 13 persona: Agim Sufa(Myrtaj), Ardian Corri, Gëzim Tafaj, Aleksandër Malaj, Rexhep Cuku, Ndue Nicaj, Gramoz Tafaj, Ardian Marku, Altin Gjeloshi, Ndrek Preçi, Paulin Marku, Pjetër Tusha dhe Bisho Hotaj. Ata akuzohen se kanë qenë pjesë e grupit kriminal që më 11 janar 2008 tentoi të trafikonte 33 klandestinë në drejtim të Italisë, por pasi dështoi të zbarkonte në afërsi të Pulias hodhi në det të hapur pranë Lezhës të gjithë klandestinët gjysma e të cilëve ishin në moshë të mitur. Agim Sufa (Myrto) i njohur edhe si “Gimi i Fates” cilësohet nga Prokuroria si një nga personazhet kryesore të grupit të arrestuar. Hetimet ndaj tyre kanë filluar në korrik 2007. Në janar 2008, Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi zgjatjen e afatit të hetimit pasi dosja kishte nevojë për kryerjen e veprimeve të tjera procedurale. Pikërisht ky vendim i Prokurorisë i cili zgjat kohën e qëndrimit në qeli të personave të arrestuar, është kundërshtuar nga i arrestuari Agim Sufja. Ky i fundit, sipas burimeve zyrtare ka qenë person i akuzuar edhe për rrëmbimin e ish-shefit të komisariatit të policisë së Laçit, Luan Mema. Prokuroria deklaron se Agim Sufja ka qenë në grupin e personave që në vitin 2002 rrëmbyen ish-shefin e komisariatit të policisë së Laçit pas një sherri që zyrtari i policisë ka pasur në ambient publik me një vartës të tij të cilin e kishte qëlluar me pëllëmbë në fytyrë. Aktualisht akuza e ngritur ndaj Agim Sufjes dhe të dyshuarve si bashkëpunëtorë të tij është veprimi në kuadër të grupit kriminal dhe trafikimi i klandestinëve. Policia ka provuar se pesë herë me radhë të arrestuarit kanë nisur drejt Italisë në rrugë detare nga Lezha ose tokësore nga Mali i Zi, grupe të ndryshme klandestinësh që paguanin 3500 deri në 4 mijë euro.                  tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›