E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi: Berisha varfëroi 99% të shqiptarëve të majtët garantojnë rritje të mirëqenies

Partia Socialiste është angazhuar gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare 2009, se do të bindë elektoratin të votojë për përfaqësuesit e saj, duke premtuar nxjerrjen nga varfëria, si fshatin edhe qytetin. Programi i PS, i cili ka nisur të prezantohet pjesë-pjesë nga përfaqësues të kësaj force politike nëpër zona të ndryshme të vendit, i mëshon me forcë premtimeve elektorale, në bazë të të cilave sigurohet rritje e mirëqenies veçanërisht në zonat rurale. Duke kërkuar votën e masës së gjerë, PS ka vënë në plan të parë ndihmën e saj në bujqësi, ku premton reduktim të shpenzimeve në prodhimet bujqësore si dhe ulje të akcizës së naftës. Sipas të majtës socialiste, ky program gjithëpërfshirës për zonat rurale të vendit do të zhdukë varfërinë që ka pllakosur në vend. E majta socialiste ka premtuar në të gjitha zonat rurale ku ka zhvilluar takime me banorët, se vota e këtyre të fundit për këtë forcë politike do të jetë një votë në përmirësim kushteve të jetesës së tyre. Kjo pra duket se është filozofia e PS në zgjedhjet e 28 Qershorit, filozofi kjo që të majtët preferojnë ta propagandojnë anekënd vendit, ngado ku shkojnë. Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Ben Blushi, deputeti Alfred Dalipi dhe Nënsekretari për koordinimin i PS, Arben Ahmetaj, ishin dje në fshatin Udinisht të rrethit të Pogradecit. Ata janë takuar atje me të gjithë banorët, në kuadrin e turit për prezantimin e Programit të Ri Qeverisës në Qarkun e Korçës. Gjatë fjalës së mbajtur, deputeti socialist Ben Blushi ka vënë theksin te problematika e fshatit, që sipas tij është rrjedhojë e politikave aspak favorizuese nga ana e qeverisë. Blushi i ka siguruar banorët, se pas ardhjes së Partisë Socialiste në pushtet, janë gati një sërë masash, duke filluar nga dhënia e certifikatave të pronësisë, heqja e akcizës për naftën dhe deri te mbështetja e bujqve dhe fermerëve, për të nxjerrë në treg prodhimet e tyre. Për Ben Blushin, më 28 Qershor, të gjithë shqiptarët duhet të largojnë me votë qeverinë e Sali Berishës, e cila ka pasuruar veten dhe ka varfëruar popullsinë. Ne kemi një diferencë të madhe me Partinë Demokratike, e cila duket çdo ditë. Kemi një diferencë e cila nëse në rastin tonë synon të mundi varfërinë, në rastin e tyre synon të pasurojë disa njerëz që janë në pushtet, duke filluar nga familja e Sali Berishës, theksoi Blushi gjatë fjalës së tij në Udinisht. Ai vlerësoi se nëse ka sot një familje, një njeri, një grusht njerëzish që pasurohen, këta janë vetëm qeveritarët në pushtet. Nga ana tjetër ai tha se 99 % e shqiptarëve po varfërohen nga dita në ditë. Sipas Blushit, varfëria fillon nga fshati dhe mbaron në qytet. Sepse kur fshati është i varfër edhe qyteti është i varfër. Nëse Udinishti është i varfër, nuk ka prodhime nuk ka mundësi të shfrytëzojë tokën e vet, kështu që edhe Pogradeci është i varfër, konkretizoi Blushi. Lista e borxheve në dyqane, në thertore, etj., është më e gjatë se Sali Berisha, është më e gjatë se 14 ministrat e kësaj qeverie, shtoi ai. Në këtë pikë, Blushi tha se më 28 qershor, ne do të shkojmë të votojmë për të shpëtuar nga varfëria dhe mjerimi. Ne kemi një projekt, të cilin e theksoj, fillon nga fshati, duke i dhënë dinjitet, duke i dhënë gjithsekujt atë që meriton, duke i dhënë fshatarit dhe fermerin tokën e vet, nënvizoi Blushi duke siguruar se fshati do të jetë prioriteti i madh i Partisë Socialiste, sepse në fshat, përveç certifikatës së tokës, kjo forcë politike do të subvencionojë prodhimet bujqësore, që sot nuk arrijnë të shkojnë dot në tregun e qytet. Sipas Blushit, PS do të reduktojë koston e lartë të prodhimeve në fshat, duke zhdukur akcizën e naftës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›