Bode në Korçë, sulmon programin e Ramës për bujqësinë
Në vijim të turit Shqipëria po Ndryshon, ministri i Financave Ritvan Bode ka zhvilluar disa takime me banorë të fshatrave Vashtmi dhe Voskop të Qarkut të Korçës. Ministri i Financave, në takimin e tij paraelektoral në fshatrat e Korçës ka sulmuar programin e Partisë Socialiste, prezantuar nga Edi Rama për bujqësinë.
Politika e rikthimit të tallonave që publikon PS është një mjet për të subvencionuar një grup njerëzish dhe për të krijuar premisa korruptive, ndërsa ne kemi subvencionuar për zhvillimin e bujqësisë duke financuar shtimin e pemëtoreve dhe rritjen e kapaciteteve përpunuese, është shprehur Bode gjatë fjalës së tij. Gjatë përurimit të fillimit të punimeve për kanalizimet e fshatit Vashtmi, kreu i Financave tha se shifrat flasin në favor të kësaj mazhorance, e cila do të dalë me një mandat të dytë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Në mbyllje të takimeve Bode u shpreh se koalicioni i djathtë ishte ai që theu barrierat me ndërkombëtarët duke u bërë anëtare të NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian. Ndërkohë, ai ka pasqyruar edhe arritjet e qeverisë ku bën pjesë, duke nënvizuar rritjen e pagave dhe pensioneve. Që nga 1 maji pensionet dhe pagat e vogla janë dyfishuar. Ne mbajtëm premtimet e vitit 2005 prandaj kërkojmë që të lidhim një tjetër kontratë me ju për të vazhduar reformat, ka theksuar Bode. Nisja e disa investimeve në këtë zonë, si rrjeti i ujësjellës-kanalizimeve në fshatin Vashtmi, që pritet të bëhet me një fond prej 54 milion lekësh te financuara nga qeveria.