E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, të rinjtë socialistë kërkojnë dorëheqjen e kreut të drejtorisë arsimore

Të rinjtë socialistë kanë reaguar dje me një deklaratë për shtyp përpara drejtorisë arsimore të Vlorës. Me banderola në duar ata kanë kërkuar që kreu i arsimit të Vlorës Petraq Kutulla të japë dorëheqjen pas urdhrit të dhënë prej tij ditën e hënë që gjithë nxënësit e shkollave të ishin pjesëmarrës në mitingun e PD-së, ku Sali Berisha u takua me rininë demokratike të Vlorës. Pas kësaj kanë reaguar drejtues të forumit rinor të PD, dega Vlorë, të cilët pasi kanë falënderuar rininë vlonjate për pjesëmarrjen në takimin e së hënës, kanë deklaruar se arritjet në arsimin parauniversitar dhe atë universitar në Vlorë janë të pamohueshme. Jemi këtu për të shprehur shqetësimin tonë dhe të gjithë bashkëmoshatarëve tanë për ndërprerjen e mësimit, për mohimin e dijes, për dhunimin e procesit mësimor, për shkelje të ligjit të arsimit, për devijimin e misionit të mësuesit në këmbim të pjesëmarrjes së detyruar në mitingun e organizuar nga PD-ja dhe strukturat politike të drejtorisë arsimore rajonale Vlorë me zotin Kukulla dhe drejtorët mitingash të shkollave, u shprehën anëtarë të FRESH. Mazhoranca shqiptare me në krye Sali Berishën po përdor nxënësit e shkollave si material propagandistik për të mbushur sallat dhe ambientet e mitingjeve. Moda e re e së  djathtës, e cila për të mbushur sallat rrëmben nxënësit e shkollave nga mësimi, duket se po keqpërdoron pushtetin në dëm të ligjit duke bërë fushatë me të miturit.   Tashmë, duket se e djathta e ka kthyer në modë një fakt të tillë, ku vetëm kopshtet kanë shpëtuar nga kthetrat e politizimit të gjithçkaje dhe të të gjithëve. Në çdo qytet ku përfaqësuesit e të djathtës bëjnë miting në këto zgjedhje parlamentare, është vënë re se nxënësit e shkollave së bashku me mësuesit e tyre janë detyruar të marrin pjesë, duke lënë përgjysmë procesin mësimor. Partia Demokratike duket se kështu po imiton deri në detaj, kohën e komunizmit, ose më saktë xhaxhin, ku për vizitën e tij në një qytet, organizoheshin të gjitha strukturat shtetërore e deri dhe ato arsimore. Berisha, Topalli, Pollo etj, janë disa nga krerët e mazhorancës së sotme parlamentare, të cilët për çdo takim elektoral nëpër rrethe kanë urdhëruar pjesëmarrje të plotë me nxënës shkollash, pavarësisht se këta të fundit humbasin ditën e mësimit. Një gjë e tillë bëhet nga e djathta vetëm për të krijuar perceptimin tek publiku se takimet e tyre kanë përkrahje të gjerë në komunitetin me të cilin dialogojnë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›