E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lakrori fton Ramën për fushatë të përbashkët: “Të përballemi me anëtarësinë”



Kandidati për postin e kryetarit të Partisë Socialiste, Maqo Lakrori, ka ftuar dje publikisht në debat rivalin e tij, kreun në detyrë të PS-së, Edi Rama. Gjatë një deklarate për shtyp Lakrori kërkoi nga Rama që fushata për kreun e PS-së të bëhej me përballjen e kandidatëve përpara anëtarësisë, në të 12-të qarqet e vendit. E ftoj zotin Rama që të paraqitemi së bashku në të 12-të qarqet e vendit, në takime të përbashkëta me anëtarësinë socialiste, për të parashtruar argumentet dhe opsionet tona për drejtimin e Partisë Socialiste për katër vitet në vazhdim", - deklaroi Lakrori. Kandidati kundërshtoi idenë për bojkotimin e Kuvendit nga ana e Partisë Socialiste. Ai tha se bojkotimi i Kuvendit do të dëmtonte rëndë Partinë Socialiste dhe nuk i shërbente aspiratave të saj. Lakrori publikoi gjithashtu disa nga pikat kryesore të platformës së tij konkurruese në garën për kreun e Partisë Socialiste. Ai tha se premtonte rikthimin e solidaritetit brenda PS-së, realizimin e një udhëheqjeje kolegjiale dhe kundërvënie ndaj kultit të individit. Lakrori theksoi gjithashtu nevojën e rishikimit të Kushtetutës dhe organizimin e një referendumi popullor, rishikimit të sistemit dhe Kodit Zgjedhor, bashkimin e së majtës dhe bashkëpunimin me forcat e djathta për të shkaktuar zgjedhje të parakohshme.
Maqo Lakrori është rivali i vetëm i mbetur në garë përballë kryetarit në detyrë të Partisë Socialiste Edi Rama. Dy kandidatët e tjerë, Arben Malaj dhe Ben Blushi, deklaruan tërheqjen nga kandidimi përpara afatit të regjistrimit të kandidatëve për kreun e PS-së. Zgjedhjet për kreun e Partisë Socialiste do të zhvillohen më 26 shtator, me anë të parimit “një anëtar, një votë”.

5 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›