E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lot e dhimbje, mijëra njerëz përcjellin Filipin

Sulmuesi i talentuar i Ravenës u shtyp nga makina e drejtuar nga një grua. 20-vjeçari, në pronësi të Palermos, ishte pjesë e Kombëtares U-21 shqiptare

Dash Frashëri

Populli i Lezhës i dha dje lamtumirën e fundit, Brian Filipit, ish-futbollistit të Kombëtares shqiptare e të Ravenës në Serinë C1, të ndarë nga jeta në mënyrë tragjike pas përplasjes nga një autoveturë e drejtuar nga një grua 52-vjeçare, duke e përcjellë atë rreth orës 15:00 nga Lezha për në Blinisht ku turpi i Brianit do të pushojë përjetësisht në vendlindjen e tij. Të gjithë kanë bërë homazhe e kanë vendosur kurora me lule në arkivolin e zbukuruar të Brianit ku spikaste numri 9 i përfaqësueses tonë si dhe kostumet sportive të Ravenës. Prefekti i qarkut, Llesh Marku, kryetari i qarkut Bardh Rica, kryetari i baskisë, Viktor Tusha, përfaqësuesi i MTKRS-së, Vasil Bici, presidenti i FSHF-së, Armando Duka, si dhe deputetët Gjokë Jaku e Gjovalin Kadeli kanë lënë shënime në librin e opinioneve për ish-futbollistin talent. Para se të nisej për t’u prehur në banesën e fundit sekretari i klubit Pjetër Lesi ka përshëndetur në emër të klubit lezhjanë futbollistë i të cilit ka qenë i ati i tij Gjergj Filipi. Të pranishëm në nderimet e Filipit pranë stadiumit “Besëlidhja” të Lezhës, ishin dhe zëvendëspresidenti Bujar Kasmi, anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Gjergji Thaka e Mehdi Bushati. Të pranishëm ishin dhe futbollistë të Kombëtares U-21, Renato Malota (i Dinamos), Enco Malindi e Ditmar Bici (të dy të Tiranës). “Ndjej dhimbje të madhe. Bota e futbollit është tronditur shumë”, - tha presidenti Duka. “Humbëm një shok të mirë. Do të mbetet gjithmonë në zemrat tona. Është një dhimbje e madhe për ne”, - tha mbrojtësi lezhjan i Dinamos, Renato Malota.

MIQËSORJA
Një ndeshje miqësore në kujtim të Brian Filipit. Midis Lacios, ku është drejtor sportiv Igli Tare dhe Ravenës, ish-skuadrës së Brian Filipit, të ndarë nga jeta në mënyrë tragjike. Klubi italian i Serisë A është treguar i gatshëm ndaj kërkesës së Ravenës për të zhvilluar një ndeshje miqësore në kujtim të ish-sulmuesit të Ravenës e Kombëtares U-21 shqiptare. Miratimin për këtë ndeshje miqësore e ka dhënë edhe trajneri bardhekaltër Davide Balardini. “Falënderoj me të vërtetë shumë Lacion në emër të klubit për ndjeshmërinë e treguar, duke na ofruar gatishmërinë për të zhvilluar një miqësore në ‘Benelli’ në kujtim të Filipit, - pohoi drejtori sportiv i Ravenës, Xhorxhio Bufone. “E vetmja pengesë për tu kaluar është data e zhvillimit të ndeshjes, pasi 8 tetori do të ishte perfekt nëse Ravena nuk do të luante një ditë para në Kupën e Italisë. Jemi duke punuar për të gjetur zgjidhjen e duhur, pasi bëhet fjalë për të kujtuar Brianin dhe nuk duhet ta lëmë të na shpëtojë kjo gjë”.

Bogdani: “Për ty Brian!”

Erjon Bogdani, protagonisti absolut i Kievos në fitoren 3-1 kundër Xhenoas, takim ku sulmuesi shqiptar realizoi një gol e fitoi një penallti, ia kushtoi golin e tij të parë sezonal në Serinë A, Brian Filipit. Bogdani ishte i pranishëm në funeralin e mbajtur Cervia, përpara se trupi i pa jetë futbollistit 20-vjeçar të mbërrinte në Shqipëri. Pas shënimit të golit, Bogdani drejtoi duart lart qiellit, një shenjë e qartë si për t’i thënë shpirtit të Brianit: “Ky gol është për ty!”.

Kush ishte Filipi

I lindur në Lezhë (11 gusht 1989), Brian Filipi militonte prej tre sezonesh te Ravena, që ana e saj e kishte blerë nga Cervia, qyteti edhe ku banonte familja Filipi. Sezonin e kaluar Filipi shënoi në 23 ndeshje, 5 gola. Ditën e shtunë e të diel, në të gjitha stadiumet shqiptare, ku u luajtën ndeshjet e Kategorisë Superiore, Kategorisë së Parë e të Dytë, por dhe në Itali, në takimet e Serisë A, B, Lega Pro, në këtë fundit aktivizohej Briani 20-vjeçar me Ravenën u mbajt një minutë heshtje në kujtim të tij.

Aksidenti fatal

Brian Filipi, lojtari në gjysmëpronësi të Palermos, por i rritur te Ravena e më pas, po i huazuar aty, ishte duke ecur të premten në mbrëmje, me 19 shtator, së bashku edhe me një shokun e skuadrës së tij në anë të rrugës së qytetit të Cervias, pranë Ravenës, kur pas shpinës së dy futbollistëve mbërriti një autoveturë, që e goditi fuqishëm Filipin, i cili fluturoi dhe ra mbi asfalt. 20-vjeçari vdiq gjatë rrugës për në spital.

Shqipëria U-17, sot kundër Hungarisë

Kombëtarja e Shqipërisë U-17 e drejtuar nga Ardian Mema do të nisë sot me ndeshjen kundër Hungarisë të kësaj moshe aventurën në për fazën e grupeve paraeliminatore të Kampionatit Europian U-17, për sezonin 2009-2010. Në grupin 11 bëjnë pjesë edhe Sllovakia e Luksemburgu. Takimet do të zhvillohen nga data 25-30 shtator në Hungari. Shqipëria është një nga 52 përfaqësueset europiane që marrin pjesë në këto eliminatore të ndara në 13 grupe me nga katër skuadra. Dy skuadrat e vendeve të para të çdo grupi, plus dy vendet e treta më të mira të grupeve do të kalojnë më tej në fazën tjetër eliminatore, të quajtur Elite Raund. Këto takime do të luhen në pranverë të vitit 2010. Fituesit e shtatë grupeve të Elite Raund do të bashkohen me Lihteshtejnin, vendin organizator. Finalet e Kampionati Europian do të luhen në maj të vitit 2010. Kuqezinjtë U-17 kanë një bilanc të hidhur në ndeshjet ndërkombëtare, në 51 takime të zhvilluara deri tani kanë arritur 7 fitore, 6 barazime e 43 humbje, duke shënuar 43 gola, por pësuar 130 të tillë.

Kampionati Europian U-17 2010
Eliminatoret
Grupi 11

25.09 .2009, ora 17:30
Hungari-Shqipëri
27.09.2009, ora 17:30
Shqipëri-Sllovaki
30.09.2009
Shqipëri-Luksemburg

25 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›