Rama me aleatët e PS, federatë dhe protesta. Malaj: Hyj në Kuvend për ligjet e integrimit
BLEDAR HOTI
Krerët e partive jo parlamentare të koalicionit me Partinë Socialiste i sugjerojnë Edi Ramës të vazhdojë bojkotin e Parlamentit deri në plotësimin e kushteve. Kryetari në detyrë i PS-së, Edi Rama, ka mbledhur dje në mbrëmje në zyrën e tij krerët e PSD-së, Skënder Gjinushi, PBDNJ-së, Vangjel Dule, PDS-së, Paskal Milo dhe të G-99, Erjon Veliajn. Përkundër deklarimeve të ndërkombëtarëve që PS-ja të rikthehet në Kuvend, krerët e partive të majta kanë rënë dakord që të qëndrojë në fuqi bojkoti i PS-së, deri në plotësimin e kushteve nga ana e PD-së për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe hapjen e kutive të votimit. Sipas kreut të PDS-së, Paskal Milo, “është rikonfirmuar bindja për të mos u bërë pjesë e Parlamentit deri në plotësimin e kushteve, që kanë të bëjnë me atë zbardhje të krimit elektoral të 28 qershorit”. Opozita do të vazhdojë bojkotin e Kuvendit deri në plotësimin e kushteve, ndërkohë që nënvizoi se po punohet për të fuqizuar të majtën. “U përcaktua shumë qartë se opozita kërkon edhe njëherë hapjen e kutive të votimit, sepse aty fshihet e vërteta e manipulimit të zgjedhjeve. Tashmë është më tepër se kurrë e domosdoshme që opozita të unifikohet dhe të bashkërendohet. Do të ketë takime të tjera në të cilat do të diskutohet për kalimin në një fazë tjetër të veprimit opozitar”, tha Milo. Ai theksoi se, “gjatë kësaj periudhe po punohet për të fuqizuar të majtën shqiptare”.
Skema e federatës dhe protestat
Në takimin mes pesë drejtuesve të së majtës është përgatitur edhe skema për realizimin e takimeve me bazën dhe të krijimit të konfederatës së majtë. Pas rizgjedhjes së Edi Ramës në krye të PS-së, pritet të nisin takimet me bazën e PS-së për të bërë publike qëndrimin se pse po bojkotohet Parlamenti i dalë pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas burimeve mësohet se është rënë dakord që pas rizgjedhjes të Ramës do të institucionalizohet tryeza e koalicionit të pesë partive, duke vazhduar me krijimin e federatës të së Majtës. Me krijimin e federatës mësohet se turit të grupimit të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe pritet t’i dalë përballë turi i kreut të PS-së, Edi Rama së bashku me aleatët e tyre politikë. Ndërsa mësohet se dalja në turin me bazën do të realizohet dhe me figurat e reja që mbështesin hapjen e kutive si kreu i PDK-së, Nard Ndoka dhe Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela. Disa ditë më parë Rama zhvilloi disa takime me Ndokën dhe Ngjelën, me qëllim përfshirjen në konfederatën e së majtës. Ndërsa gjatë ditëve në vijim do të synohet të zgjerojnë përbërjen spektrit të kësaj lëvizjeje. Ky është takimi i parë i krerëve të opozitës që pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Socialistët votojnë të shtunën kreun e ri të partisë, duke zgjedhur kështu mes kandidatëve Edi Rama e Maqo Lakrori.
“Opozita në Kuvend për detyrën e saj”
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli i bëri thirrje PS-së që t’i japë fund bojkotit të Kuvendit. Duke konsideruar si mjaft pozitiv raportin e fundit të Këshillit të Evropës për zgjedhjet e 28 qershorit, Topalli falënderoi dhe monitoruesit ndërkombëtarë për punën e kryer. “Shpreh konsideratën, vlerësimin pozitiv dhe të përshëndes raportin e KE-së për zgjedhjet, një raport objektiv, realist, shumë pozitiv, i cili ndoshta edhe më shumë se raportet e mëparshme thekson se zgjedhjet ishin një progres i qenësishëm. Raporti konstatonte se dita e votimit ishte e organizuar shumë mirë dhe se procedurat e votimit u vlerësuan mirë dhe shumë mirë në 93% të qendrave të votimit. Shfrytëzoj edhe një herë rastin për të ftuar opozitën që të vijë këtu, të kryejë detyrën e saj, të bëjë një opozitë të fortë, një opozitë konstruktive, natyrisht, edhe për të bashkëpunuar me maxhorancën për projektet e mëdha të integrimit të kësaj periudhe”, përfundoi Topalli.
“KQZ s’na jep filmimet, të hapen kutitë”
Partia Socialiste, nëpërmjet deputetit të saj, Ilir Beqja, ka nxjerrë pretendimet e saj për deformimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Edhe pse vendosja e kamerave dhe filmimi i procesit të numërimit u pa si një garanci shtesë për transparencë, dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik se sot, kur PS-ja kërkon të bëjë transparencë mbi procesin e numërimit të votave, filmimet e vëna në dispozicion nuk ofrojnë asnjë mundësi për të bërë transparencën e kërkuar. Për 7 KZAZ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri ditën e sotme nuk i ka vënë në dispozicion Partisë Socialiste asnjë minutë filmimi”, tha Beqja. Këtu bëhet fjalë për filmime të vendnumërimit të votave në Durrës, në Elbasan, Peqin, Fier, Kukës, Laç, njësinë nr. 11 në qytetin e Tiranës.
Malaj: Në Kuvend për integrimin
OERD Ulqini / Durrës
Arben Malaj, anëtar i Kryesisë së PS-së, deklaron se do të jetë i pranishëm në Kuvend përkundër vendimit të forumeve për ta bojkotuar këtë institucion. Deklarata është lëshuar dje pasdite nga Malaj gjatë takimit të përfaqësuesve të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS me socialistët e Durrësit. “Publikisht deklaroj se nëse në Parlamentin e vendit tonë do të duhet të votohet në funksion të përshpejtimit të integrimit, në përshpejtimin e të drejtës së tyre për lëvizjen e lirë, që vendit t’i hapen negociatat për t’u bërë vend anëtar i Bashkimit Evropian, unë do të jem aty, në Parlamentin e vendit tonë”, deklaroi Malaj në fjalën e tij. Malaj theksoi se, “këtë vendim nuk duhet të na e ndryshojë asnjë influencë negative. Vetëdijen dhe përgjegjësinë qytetare që të votojmë për integrimin e vendit tonë nuk duhet të na e imponojnë, nuk mund të na e deformojë dhe nuk duhet të na e pengojë asnjë shumicë numerike në forumet partiake. Ky nuk duhet të jetë një veprim spontan, ky nuk do të jetë një veprim emocional, ky nuk është një veprim në favor të një individi apo grupi, aq më pak në dëm të forcës sonë politike”. Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, i bëri apel deputetëve socialistë të tregojnë përgjegjësinë ndaj atyre që i kanë votuar. “Janë shumë më tepër argumente reale pse ne duhet të jemi në Parlament. Besoj shumë tek kolegët e grupit parlamentar dhe tek një pjesë e lidershipit politik të Partisë Socialiste, për të marrë përgjegjësitë për ta ndalur këtë vetizolim dhe radikalizim”, theksoi Malaj. Anëtari i Kryesisë theksoi në fjalën e tij se asnjë institucion ndërkombëtar që monitoroi zgjedhjet, asnjë kancelari diplomatike që ndjek zhvillimet politike në vend, asnjë personalitet socialist, asnjë europarlamentar i së majtës, nuk ka mbështetur deri më sot bojkotin e PS-së. “Bojkoti ynë rezulton deri tani vetizolim. PS-ja rrezikohet të shndërrohet nga një parti moderne në një parti radikale. Rrezikon të shndërrohet nga parti e shtetit ligjor në një parti jashtë institucioneve. PS-ja rrezikon të shndërrohet nga një forcë që inspiron në një forcë që pengon, nga një forcë ku shqiptarët shikonin modelin e së ardhmes, në një forcë fotokopjuese e modelit të keq politik të PD-së. Sa më shpejt lëvizja e lirë e shqiptarëve të afrohet, aq më pak PS-ja mund të qëndrojë jashtë apo larg institucioneve”, theksoi ish-kandidati për kreun e PS-së. Malaj shtoi se, “ne nuk provokohemi nga kërcënimet përjashtuese. Ne nuk kemi asnjë dëshirë të shkojmë në Parlament për të votuar qeverinë Berisha. Ne nuk do të shkojmë në Parlament për të votuar tenderime apo koncesione korruptive të qeverisë. Por ne ndjehemi çdo ditë më keq kur nuk shkojmë dot në Parlament për t’i kërkuar llogari kësaj qeverie”.