E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hiqen dy komisionerë, kreu i PS së Shkodrës: Ishin mbështetës të Blushit

 

Komisioni i zgjedhjeve në PS zëvendëson dy komisionerët, të cilët njihen si kundërshtarë të Edi Ramës dhe përkrahës të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, që kryesohet nga Ben Blushi. Zëvendësimi i tyre erdhi dy ditë para zgjedhjeve për kreun e ri të selisë rozë. Vendimi ka nxitur reagimin e kreut të PS-së Shkodër, Edip Shiroka, i cili e cilëson këtë ndryshim si një vazhdimësi të politikës së vjetër që po vazhdon të ndjekë kreu në detyrë i PS-së, Rama. “Përfaqësuesit tanë të konstituuar në këtë komision janë profesorë të nderuar, zëvendësohen pa asnjë kriter me të tjerë persona, të cilët plotësojnë vetëm një kriter, besnikëria e treguar kohët e fundit ndaj kandidatit Rama. I drejtohemi të nderuarit Maqo Lakrori që të mos përfshihet në këto zgjedhje”, ka pohuar Edip Shiroka. Ai hedh hije dyshimi për manipulimin e procesit zgjedhor të 26 shtatorit dhe mbi të gjitha mungesën e transparencës. I pyetur për hapat që do të ndërmerren, Shiroka theksoi se, “do të pritet vendimi i Komisionit Statuor e më pas do të shohim për të tjera reagime”. Reagimi ka ardhur edhe nga komisioneri i zëvendësuar, i cili duhej të kishte postin e nënkryetarit të Komisionit, Burhan Vajushi, i cili njihet si një prej njerëzve më aktivë në PS-në e këtij qyteti. “Janë dy arsyet që kanë shtyrë Ramën të bëjë këtë ndryshim. I pari, sepse dy komisionerët e zëvendësuar janë përkrahës të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe të Blushit, dhe e dyta, sepse janë konstatuar bojkote të mëdha të socialistëve në zonat e tjera në lidhje me këto zgjedhje”, tha Vajushi. Komisionerët Burhan Vajushi, i cili do kishte postin e nënkryetarit dhe Agim Halili janë zëvendësuar me Jetmira Kozmajn dhe Genc Uruçin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›