E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veteranët dhe invalidët e luftës, në grevë urie



Veteranë dhe invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë duke vazhduar grevën para ndërtesës së qeverisë së Kosovës dhe janë të vendosur të qëndrojnë aty deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Ata kanë kritikuar institucionet vendore për neglizhencën e treguar ndaj tyre që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë. Ata kërkojnë nga institucionet e Kosovës që të marrin masa për krijimin e kushteve më të mira për jetë dhe trajtim dinjitoz për të gjithë ata që kanë luftuar për pavarësinë e vendit.

Lirim Haxholli, përfaqësues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, thotë se kërkesat e tyre nuk janë të parealizueshme dhe, sipas tij, qeveria e Kosovës duhet të ketë buxhet që do të mund ta dedikojë pikërisht për këta njerëz.

“Neve na intereson zgjidhja e problemeve tona. Jo vetëm kjo qeveri, por të gjitha qeveritë kanë anashkaluar veteranët e luftës”, - thotë ai. Kërkesat e veteranëve dhe invalidëve të luftës janë: zbatimi i ligjit për vlerat e luftës së UÇK-së, strehimi i invalidëve, veteranëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve, shërimi i invalidëve, si dhe disa kërkesa të tjera, si lirimi nga pagesat e rrymës, ujit etj. Megjithatë, zoti Haxholli shpreson në përmbushjen e këtyre kërkesave nga ana e qeverisë së Kosovës. Ai thekson se në rast të mospërmbushjes së tyre nga ana e qeverisë, do të përdorin edhe forma të tjera demokratike të protestave, deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. “Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, si duket ka vullnet të mirë për përmbushjen e kërkesave tona. Ai na ka premtuar se do t’i përmbushë kërkesat tona, që, përveç tjerash, janë: zbatimi i ligjit për vlerat e luftës së UÇK-së dhe përkujdesje për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve te luftës”, - pohon Haxholli. Ndërkaq, një veteran i luftës, i cili dëshiron të mbetet anonim, thotë: “Që 10 vjet i kemi lënë qeveritarët për t’u kujdesur për familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës. Unë dhe familja ime gjashtanëtarëshe jetojmë me 72 euro në muaj”. Në anën tjetër, Faik Fazliu, këshilltar i Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se qeveria e Kosovës është duke bërë përpjekje për krijimin e kushteve më të mira për këtë kategori të shoqërisë në Kosovë, ndërkohë që deri më tani, sipas tij, veteranëve, invalidëve të luftës, si dhe familjeve të dëshmorëve u janë mundësuar paga mujore dhe shërbime falas nëpër institucionet shtetërore. Ligji është miratuar më 24 shkurt të vitit 2006, por përmbajtja e tij ka vazhduar të jetë temë diskutimesh midis administratës së Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve vendore të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›