E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-ja kërkon karta brenda prillit, paralajmëron bojkotin e zgjedhjeve



Nënsekretari i Heshtjeve Ligjore në PS, Damian Gjiknuri, ka paralajmëruar dje një skenar të mundshëm të PS-së për bojkotimin e zgjedhjeve të ardhshme. Edhe pse duhen më shumë se dy muaj që të vijnë zgjedhjet, PS-ja ka nxituar ta quajë procesin e pajisjes me karta të dështuar dhe ka vënë datën 1 maj si afat për realizimin e këtij procesi, ndryshe kjo parti nuk do t’i njohë zgjedhjet. Duket si një skenar i ripërsëritur ky, ashtu siç ndodhi dhe në 2007-n kur do të bëheshin zgjedhjet vendore, të cilat u paraprinë nga një tension i lartë politikë dhe negociata të pafundme për shkak të kërkesave të detajuara të PS-së për certifikatat. Me një gjuhë të ashpër politike, Gjiknuri tha dje se “nëse nuk ka zgjidhje të arsyeshme brenda muajit prill procesi mund të quhet i dështuar”. Ai shtoi: “Kjo, për arsyen e thjeshtë, se nëse nuk ndërmerret një ndryshim radikal në lidhje me politikën e pajisjes së shtetasve me letërnjoftime brenda muajit prill, procesi përfundimisht dështon dhe bashkë me të edhe çdo grimcë legjitimiteti për zgjedhjet”. Ndërkohë, të gjithë hapat që po merr qeveria në këtë kontekst duke krijuar lehtësi për aplikimin, ai i pa si shenjë e dështimit të procesit. “Deklarimet dhe propozimet që serviri Kryeministri, përfundimisht konfirmojnë ekzistencën e problemit që Partia Socialiste ka kohë që e ka bërë prezent, problem ky që po rrezikon seriozisht procesin e ardhshëm zgjedhor”, - tha Gjiknuri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›