Shqipëri-Kroaci, së shpejti firmoset nukleari
Shqipëria së shpejti do të quhet një vend që disponon teknologjinë nukleare. Kryeministri Sali Berisha dhe homologu i tij kroat, Ivo Sanader, pritet që së shpejti të nënshkruajnë një marrëveshje për ndërtimin e një centrali nuklear në afërsi të Shkodrës. Centrali nuklear do të shërbejë vetëm për qëllime paqësore për prodhimin e energjisë dhe do të ketë një kapacitet 1500 megavat, afërsisht sa 3.5 herë më shumë se fuqia e hidrocentralit të Fierzës. Një tjetër pikë që Kroacia dhe Shqipëria duhet të zgjidhin para kësaj marrëveshjeje, është mirëkuptimi me Malin e Zi. Me këtë vend po zhvillohen negociata në mënyrë që projekti të ketë dakordësinë e malazezëve. Centrali nuklear pritet të kushtojë 4 miliardë euro dhe do të ndërtohet nga Kompania e Shpërndarjes së Energjisë Kroate. Njëkohësisht mendohet që Kroacia të kontribuojë më shumë në financimin e këtij projekti gjigand energjitik, i cili do të kërkojë disa vite të ndërtohet. Më pas, energjia e prodhuar me këtë central, do të jetë shumë e lirë në krahasim me çdo energji tjetër, duke e kthyer Shqipërinë, në një vend me potencial të konsiderueshëm energjitik. Deri në këto momente, autoritetet në Podgoricë thonë se nuk kanë marrë ftesë për pjesëmarrje në projektin për ndërtimin e centralit bërthamor në afërsi të Shkodrës, afër kufirit me Malin e Zi. Ministria malazeze e Turizmit dhe Mjedisit Jetësor ka kujtuar se në Mal të Zi ka një ligj që e ndalon ndërtimin e objekteve bërthamore, miratuar në vitin 1995. Në prononcimet e para për ndërtimin e centralit bërthamor, zëvendësministri i Mjedisit, Sinisha Stankoviç, deklaroi se Mali i Zi nuk ka mekanizma për ndërtimin e një objekti të tillë në afërsi të kufirit të vet.
Burime pranë qeverisë shprehen se projekti i centralit nuklear ka qenë pjesë kryesore e bisedimeve të Kryeministrit Berisha gjatë vizitës së tij në Kroaci. Autoritetet kroate kanë qenë dakord me idenë shqiptare, madje janë kroatët të cilët do të vënë në dispozicion më shumë kapacitete për ndërtimin e centralit. “Kroacia, - tha Kryeministri Berisha, gjatë vizitës në Zagreb, - ka një model shumë të mirë, atë të Kreckos me Slloveninë dhe nga të gjitha bisedimet jam më optimist se kurrë për të ardhmen e këtij projekti”. Kroatët, nga ana tjetër, nuk e kanë fshehur entuziazmin për këtë projekt madhor. “Jam i kënaqur që vendet tona po bashkëpunojnë në kuadrin e energjisë nukleare, e cila është më e pastra, por edhe e domosdoshme për të plotësuar nevojat e rajonit tonë për energji dhe për t'i bërë vendet tona të pavarura nga aspekti energjitik”, - deklaroi Presidenti kroat, Mesiç, në takim me Kryeministrin shqiptar. Projekti në fjalë do të ndryshonte gjeopolitikën energjitike në Ballkan. Bullgaria ka pasur numrin një për energjinë, por pas mbylljes së centraleve të saj nukleare në vitin 2006, ajo e humbi këtë fuqi. Centralet në Bullgari u mbyllën pas kërkesës së BE-së pasi ata ishin të vjetër. Centrali nuklear në Shqipëri do të këtë parametrat më modernë, të pranuar nga BE-ja. Në kushtet kur energjia është kthyer në një mall tepër të kërkuar, edhe mjaft vende të BE-së kanë kërkuar ndërtim të centraleve.