E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: Kandidimi i Nanos është në dorën e kryesisë

Anëtari i kryesisë së PS-së, Ben Blushi, shprehet i sigurt për fitoren e PS-së. Paralajmëron shtyrjen e zgjedhjeve

Listat e deputetëve të Partisë Socialiste, do të jetë produkt i një vendimi kolegjial, i strukturave drejtuese të kësaj force. Ish-kryetari i grupit parlamentar socialist, Ben Blushi, ka zbardhur dje, gjatë emisionit "Kontrast", disa nga detajet e fushatës së ardhshme elektorale të Partisë Socialiste, duke filluar nga programi, listat e deputetëve dhe sfida për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti.

Duke u ndalur tek çështja e listave të kandidatëve për deputetë, Blushi ka bërë të ditur se PS-ja është komode në këtë aspekt, pasi do t'i duhen të paktën edhe 40 kandidatë, që janë potencialisht fitues në zgjedhje, pa përfshirë këtu anëtarët aktualë të grupit parlamentar. "Jemi në një pozicion komod, pasi ne jemi 33 deputetë dhe do të kemi dhe 40 vende të garantuara plus, pasi pretendojmë të marrim 70 vende", - tha Blushi.

Ndërkohë, pyetjes se mbi ç'baza dhe kritere po bëhet përzgjedhja e emrave, ai tha se, ashtu si edhe në rastin e programit, ato do të kalojnë në filtrin e të gjitha strukturave partiake, për t'u konsultuar përpara se ato të paraqiten si lista zyrtare të partisë.

Duke u ndalur tek fati i ish-Kryetarit të PS-së, Fatos Nano në këto zgjedhje, Blushi ka deklaruar se kandidimi i tij varet nga shumë komponentë, siç është vendimi i Kryetarit Rama apo edhe vendimi i kryesisë. "Nëse me pyesni mua, Nano duhet të jetë padyshim kandidat.

Por, kjo është edhe në dorën e kryesisë, edhe në dorën Kryetarit të partisë, edhe në dorën e Nanos. Nano nuk do të marrë pozicion që t'i prishë punë PS-së", - u shpreh Blushi.

Ndërsa lidhur me marrëdhëniet me LSI-në, ai ka përshëndetur ndryshimin e kursit të sjelljes prej drejtuesve të kësaj force ndaj PS-së, teksa ka deklaruar se PS-ja do t'i fitojë zgjedhjet edhe pa këtë forcë në koalicion. "Sigurisht që ne pretendojmë t'i fitojmë zgjedhjet pa LSI-në dhe ky është qëllimi ynë", - tha më tej Blushi.

Duke iu referuar situatës së infrastrukturës zgjedhore, Blushi ka konsideruar si alarmante ecurinë e procesit të pajisjes së qytetarëve me karta.

Për këtë ai ka paralajmëruar edhe mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve, në rast se më 28 qershor do të ketë shtetas pa një mjet të duhur për të votuar, pra pasaportë ose kartë identiteti.

"Nuk besoj se ka ndonjë vend që u heq mundësinë e votimit 20 % zgjedhësve të vet. Nuk ka opozitë që shkon për të bojkotuar zgjedhje, por për t'i fituar ne shkojmë me kushte normale. Ne do të kërkojmë që të gjithë të pajisen me karta dhe nëse kjo nuk do të arrihet, atëherë do të flasim atë ditë kur nuk do të arrihet", - u shpreh Blushi.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›