E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brukseli: Heqja e vizave për Ballkanin, brenda fundit të vitit



Lëvizja e lirë drejt vendeve të BE-së që janë pjesë e Shengen-it duket se do të jetë një ëndërr e realizuar në fund të këtij viti. Komisioni Evropian e ka pranuar tashmë këtë projekt, që përkrahet fuqimisht nga Italia dhe po ecën në rrugën e realizimit të tij. Krisztina Nagy, zëdhënësja e komisionerit evropian për Zgjerimin, Olli Rehn, ka bërë dje deklarata për disa media të huaja lajmesh lidhur me mënyrën se si do të zbatohet regjimi i ri i vizave. Ajo tha se “vendet e Ballkanit Perëndimor, që do të përmbushin një sërë kriteresh të përcaktuara, do të përfshihen në të ashtuquajturën lista e bardhë Shenghen në fund të vitit 2009, apo në fillim të vitit të ardhshëm”. Sigurisht, Shqipëria është një nga vendet që pret të përfitojë nga ky projekt, ndërkohë që i ka hedhur disa hapa konkretë në këtë drejtim. Ndërkaq, pritet që së shpejti KE-ja të dalë me një raport vlerësimi për çdo vend që do të vlerësojnë gatishmërinë e tyre për t’u bërë pjesë e zonës pa viza. Në këtë kontekst zëdhënësja tha: “Komisioni Evropian aktualisht po punon për vlerësimin e progresit të secilit vend i Ballkanit Perëndimor në përmbushjen e kritereve për një regjim të lirë pa viza me BE-në”. Nagy shtoi se sapo një raport për këtë çështje do të përfundojë, Komisioni do t'u rekomandojë vendeve anëtare të BE-së heqjen e regjimit të vizave me vendet që plotësojnë kriteret. Sipas saj, një thirrje e tetë ministrave të Jashtëm të BE-së për heqjen e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor riafirmon vendosmërinë e Komisionit Evropian për të parë progresin e këtyre vendeve në këtë drejtim. Ajo theksoi se pas përmbushjes së kritereve, vendet e bllokut 27-anëtarësh do të marrin një vendim përfundimtar që do t'u mundësonte vendeve të Ballkanit Perëndimor të përfitojnë nga një regjim pa viza me BE-në në fund të vitit ose në fillim të vitit 2010.

Qëndrimi i Francës

Pas anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE, përfshi këtu edhe Shqipërinë, ky i fundit duhet të pushojë së zgjeruari. Kështu ka deklaruar Sekretari francez i Shtetit për Çështjet Evropiane, Bruno Le Mer, gjatë një interviste për radion “Frans Inter”. "Për BE-në me rëndësi të veçantë është çështja e Ballkanit si dhe anëtarësimi i këtyre vendeve në strukturat evropiane”, - tha Le Mer. Ai sqaroi se për hyrjen e vendeve të Ballkanit në BE paraprakisht është i domosdoshëm ratifikimi i Traktatit të Lisbonës, pasi siç tha ai, në këtë mënyrë BE-ja do të ketë entet e nevojshme për të mundësuar anëtarësimin. Për sa i takon Turqisë, Sekretari francez i Shtetit u shpreh kundër perspektivës së anëtarësimit të Turqisë në bllokun 27-anëtarësh, pasi BE-ja nuk është e përgatitur për këtë. "Nuk mundemi të vazhdojmë me një zgjerim të pafund", - përfundoi Le Mer.

Basha: Me pasaportat biometrike shqiptarët s’do të përçmohen më në kufi

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, është takuar me banorë të komunave Pishaj dhe Kodovjat të Gramshit në kuadër të bashkëbisedimit që po zhvillon me qytetarë të qarkut të Elbasanit. Shefi i diplomacisë shqiptare u ka bërë thirrje banorëve të këtyre komunave të marrin letërnjoftimet elektronike, ndërsa ka parë nga afër qendrën e aplikimit në komunën Pishaj ku kryhen rreth 80 aplikime në ditë, proces i cili do t’i hapë rrugë dhe aplikimit për pasaporta biometrike. Basha tha se askush nuk do të guxojë më të përçmojë pasaportat e reja të shqiptarëve nëpër pikat kufitare të çfarëdo shteti të Evropës.

“Askush të mos guxojë të mos tregojë më respekt për pasaportat shqiptare apo ta zhubravisë apo ta grisë atë. Por me atë pasaportë, pa vizë, të kaloni si zonja dhe zotërinj në cilindo shtet të Evropës”, - u shpreh ai. Në bashkëbisedimin me banorët, Basha tha se besimin që qytetarët i dhanë në 2005-n, kjo mazhorancë e shndërroi në dyfishim pagash e pensionesh, përmirësim të infrastrukturës rrugore, arsimore, shëndetësore, ujësjellës e kanalizime dhe në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. “Prandaj, - tha Basha, - kjo mazhorancë kërkon një kontratë tjetër besimi për të vijuar më tej projektet në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Në bazë të veprave që kryejmë, na besoni përsëri. Ne nuk vijmë me xhufka në ajër, as me premtime boshe, as me gjuhën e helmit që përbuz dhe hedh poshtë arritjet e gjithë shqiptarëve”, - theksoi ministri. Gjithashtu ai ka bërë të ditur se shumë shpejt do të nisë asfaltimi i plotë i rrugës që lidh Gramshin me Kodovjatin, rrugë 15 km e gjatë. Ministri Basha premtoi rindërtimin tërësor të shkollës dhe palestrës në komunën Kodovjat.

Lohan, “fushatë” në jug të vendit

Ambasadori i KE-së në Tiranë, Helmuth Lohan, ka gjetur një mënyrë të veçantë për të inspektuar zbatimin e projekteve që mbështet Komisioni Evropian në vendin tonë. Lohan do të nisë sot një tur katërditor në jug të vendit ku do të vlerësojë projektet e financuara nga Komisioni Evropian. Gjatë vizitave të tij nëpër projekte, ambasadori Lohan do të jetë veçanërisht i interesuar të mësojë dhe të diskutojë drejtpërsëdrejti me banorët e kësaj zone ndikimin e projekteve që po zbatohen në fusha të ndryshme që nga pastrimi i mjedisit, te barazia gjinore. Ambasadori Lohan do të takohet gjithashtu me përfaqësues të bizneseve, shoqërisë civile dhe jetës akademike në jug të vendit për të diskutuar me ta përfitimet dhe sfidat e procesit të integrimit pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Në Vlorë do të ketë një takim me bizneset vendore ku do të diskutohet rëndësia e hyrjes në fuqi të MSA-së dhe ndikimit e pritshme për biznesin dhe zhvillimin e përgjithshëm të vendit. Ndërsa në Gjirokastër ai do të takojë studentë dhe pedagogë të universitetit si edhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar me ta procesin e integrimit evropian, vendndodhjen e Shqipërisë në këtë proces si edhe mundësitë që lindin prej tij për grupet pjesëmarrëse. Në Fier, Vlorë dhe Sarandë Lohan do të vizitojë disa projekte të financuara nga ndihma e KE-së.

Kosova dhe Shqipëria pritet të heqin kontrollin e pasaportave

“Shtetasit e Shqipërisë dhe ata të Kosovës duhet që sa më shpejt të lëvizin pa pasaporta në të dyja vendet, sepse vetëm në këtë mënyrë do të thellohet bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri”. Kështu u tha pas një takimi që një delegacion nga Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit të Shqipërisë zhvilloi në Prishtinë me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Ideja që shtetasit e Shqipërisë dhe ata të Kosovës të lëvizin në të dyja vendet pa pasaporta, ishte dhënë gjatë vizitës së fundit në Kosovë të Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi. Anëtarët e delegacionit parlamentar të Shqipërisë u thanë autoriteteve kosovare se rruga Durrës-Kukës-Morinë është në përfundim e sipër dhe se ajo do të jetë një ndihmë e madhe në zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve. Ata informuan udhëheqësit kosovarë edhe me vendimin e Kryeministrit Sali Berisha për formimin e komisionit ndërministror për dhënien në shfrytëzim të portit të Shëngjinit për nevojat e Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›