E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka padit në prokurori Gurakuqin për shpifje

Gurakuqi, dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar

Paratë do të shkojnë për të sëmurët mendorë

Përplasja brenda llojit mes demokristianëve Nard Ndoka dhe Anton Gurakuqi, përfundon në dyert e gjykatës. Kryetari i PDK-së Ndoka paditi dje në prokurori për shpifje Anton Gurakuqin, ish-anëtar i kësaj partie me akuzën e falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Gurakuqit i duhet të dëmshpërblejë dëmin e shkaktuar me shpifjet ndaj autoriteteve zyrtare. Ndoka është i sigurt në fajësinë e Gurakuqit, pasi garanton se paratë e dëmshpërblimit do të shkojnë në ndihmë të sëmurëve mendorë në Shkodër. Në një kallëzimin penal drejtuar organeve hetimore, Ndoka kërkon që Gurakuqi të dëmshpërblejë dëmin e shkaktuar me shpifjet e tij ndaj figurës së kryetarit të PDK-së. Në një njoftim për shtyp, PDK-ja hodhi dje poshtë fyerjet, sharjet, spekulimet dhe shpifjet denigruese të bëra në adresa të kryetarit të saj, Nard Ndoka nga zv.ministri i Jashtëm, ish-anëtari i PDK-së, Anton Gurakuqi, dhe njofton se ka vendosur të ndjekë rrugën ligjore për vendosjen e drejtësisë. Z.Ndoka ka kontaktuar dje një zyrë avokatie të Tiranë, dhe pranë organit të prokurorisë ka depozituar kallëzim penal ndaj z. Gurakuqi për akuzën e shpifjes ndaj autoritetit zyrtar dhe padi civile për shpërblim dëmi, ndaj personit të dëmtuar, bazuar këto në Kodin Penal dhe në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë. Vlera maksimale e dëmshpërblimit financiar kërkuar në aktpadi, do t’i jepet në formë dhuratë qendrës së trajtimit të sëmurëve mendorë në Shkodër. Me këtë rast, PDK-ja shpreh keqardhjen që individë të tillë, me precedentë të mëparshëm penalë dhe nën hetim nga Prokuroria e Tiranës me akuzën e falsifikimit të dokumenteve zyrtare, vijojnë të qëndrojnë në nivele të larta të qeverisjes, duke ndikuar në cenimin e imazhit dhe autoritetit të saj moral e politik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›