E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi: Jemi kundër bojkotit, por respektojmë vendimin e shumicës

01/09/2009  Mospjesëmarrja në Kuvend, reagojnë kundërshtarët e Ramës

Mospjesëvmarrja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste në kuvendin e ri të dalë nga zgjedhje parlamentare të 28 qershorit përplas sërish dy grupimet brenda radhëve socialiste. Kundërshtarët e kryetarit në detyrë të PS-së, Edi Rama, i mëshuan me forcë faktit se bojkoti i Parlamentit është një ide vetëm e këtij të fundit, e cila nuk është diskutuar për më tepër të merret një vendim në forumin më të lartë vendimmarrës, sikundër ishte Kongresi i jashtëzakonshëm i kësaj partie. Gjatë një konference për shtyp një nga përfaqësuesit e këtij grupimi, Ben Blushi, sqaroi se në Kongresin e PS-së nuk u fol për bojkotimin e Kuvendit. “PS-ja nuk erdhi në Kongres me idenë për të bojkotuar Kuvendin. Kongresi nuk ka marrë vendim për të bojkotuar Kuvendin. Në të nuk u hodh ideja për bojkot nga askush, e dëgjuam bojkotin nga kryetari të nesërmen e Kongresit”, - tha ai. Ndërkohë, edhe pse kundër bojkotit, Blushi vuri në dukje faktin se, nëse do të kishte një vendim nga shumica për të mos qenë pjesë e Kuvendit, ky grupim nuk do të kundërshtonte një vullnet të tillë.

Statuti

“Kryetari në detyrë është zgjedhur me parimin ‘një anëtar, një votë’ më 2007-n. Ky mandat u ndërpre për shkak të humbjes së zgjedhjeve dhe Rama nga njëra anë nuk pranon se ka humbur zgjedhjet, nga ana tjetër i është ndërprerë mandati, është futur në një kontradiktë pa fund. Pyetja është si konsumohet pjesa e mandatit të mbetur, se ndryshe i bie që mandati të shkojë 6 vjet, gjë të cilën se ka asnjë parti moderne.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›