E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Marrëveshja me PD-në brenda 7 shtatorit”

01/09/2009  Kreu i LSI-së

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka bërë me dije se marrëveshja mes forcës politike që drejton dhe Partisë Demokratike për bashkëqeverisjen e vendit do të nënshkruhet brenda pak ditësh. Në një konferencë për shtyp numri një i LSI-së e ka vlerësuar marrëveshjen si tepër parimore dhe solide për të qeverisur vendin, që nuk ka të bëjë me postet në kabinetin e ardhshëm qeveritar. Ai saktësoi se deri më datën 7 shtator, e cila përkon me nisjen zyrtarisht të legjislaturës së re, do të jenë përmbyllura termat e bashkëqeverisjes. “Kjo maxhorancë do të konfirmohet shumë herë më e fuqishme sesa si rezultat i zgjedhjeve problematike të 28 qershorit, në radhë të parë për shkak të kodit problematik dhe diskriminues që u ndërtua dhe u ideua për fat të keq nga kryetari në detyrë i PS-së dhe njëkohësisht ky funksionim dhe ky afirmim i këtij koalicioni nuk do të jetë çudi të përsëritet me shumë sukses edhe në vitin 2013. Pa dyshim që marrëveshja do të mbyllet para 7 shtatorit”, - tha Meta. Duke komentuar qëndrimet kundër marrëveshjes me PD-në, Meta i cilësoi si të paarsyetueshme dhe të nxitura nga kreu i Partisë Socialiste Edi Rama. “Fakti që zoti Rama ka shpallur një LSI nuk më çudit, sepse ky mentalitet i tij bizantin ka qenë në themel të fatkeqësisë që e ka kapluar dhe që çon pastaj në ato shpërthime, të cilat nuk mund të komentohen nga asnjë politikan, përfshirë dhe mua, por për të cilat duhet të pyesë ndonjë psikiatër”, - deklaroi Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›