Shqiptari gjendet i vdekur në burg
ATHINE - Në rrethana misterioze është gjetur i vdekur në burgun e sigurisë së lartë "Koridhalos" në Athinë, i riu 25-vjeçar nga Ksamili, Fatmir Oruçi. Familjarët e tij u shprehën se trupin e të afërmit të tij e kanë gjetur në morgun e Athinës, ku ai ishte transportuar nga policia e burgut. Familjarët e viktimës janë shprehur se kanë marrë trupin e viktimës për ta varrosur në Ksamil, por ende nuk dinë shkaqet reale të vdekjes së të riut, duke hedhur dyshime të forta mbi vdekjen e tij. Fatmir Oruçi është vënë në pranga nga policia greke në vitin 2005, nën akuzën trafikim i lëndëve narkotike dhe është dënuar nga gjyqësori grek me 7 vjet heqje lirie. Ai kishte kryer më parë në Shqipëri dënimin për një vjedhje banese në Ksamil. Familjarët kërkojnë hetim për vdekjen e papritur të djalit të tyre. sh.d