E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Rama bojkoton se e di që i humb zgjedhjet

 

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha mbrëmë se PS-ja ka bojkotuar zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit nga frika se mund t’i humbasë si ato të komunës së Ballagatit. Duke folur në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës në Top Channel, zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm tha se në marrëveshjen me Greqinë janë zbatuar të gjitha ligjet në fuqi, ndërkohë që rrëzoi kërkesat e PS-së për hapjen e kutive të votimit.
Përse nuk u zbatua ligji zgjedhor kur dy anëtarë të KQZ-së kërkojnë rinumërimin e votave?
Kërkohet rinumërim për vota të diskutueshme që palët s’kanë rënë dakord. Aty u kërkua gjithë Berati dhe gjithë Shkodra. Duhet përcaktuar për vota konkrete dhe kutitë konkrete. Votat kanë dokumentacionin paraprak që kanë bërë komisionerët dhe numëruesit. Këta duan të bëjnë gallatë. Sot që kanë mbaruar zgjedhjet prej 5 muajsh të hapen kutitë nga e para, që do të thotë se përveç problemit që këtu përmbyset sistemi se del Parlamenti mbi Gjykatën, këta duan që 4-5 muaj njerëzit të merren vetëm me këtë punë, si po dalin kutitë aty si po dalin atje. Ky është një precedent, i cili jo vetëm nuk zgjidh asnjë problem, por e përmbys këtë sistem që kemi krijuar sot.
E zgjidh problemin ajo...
Asnjë problem nuk zgjidh, sepse të jesh i sigurt se PD dhe LSI dalin edhe më shumë se kaq sa kanë dalë sot. Nuk është me dëshirë kjo. Unë nuk dal dot mbi gjykatën, sepse më ndalon Kushtetuta. Problemi kryesor është ai që nuk është në Parlament dhe ngaqë nuk është në Parlament do të mbajë edhe partinë e tij jashtë Parlamentit. Të gjithë aspektet e tjera janë vetëm kapriçio për të justifikuar rikandidimin e tij dhe mosrespektimin e statutit të partisë së tij.
Është gjysma e Parlamentit bosh...
Është gjysma bosh, sepse një njeri ka marrë peng një parti dhe nuk i pëlqen ky sistem.
Nuk keni marrë informacion kur keni qenë në Parlamentin e kaluar për marrëveshjen me Greqinë...
Pse duhet të dyshoj unë te gjenerali i ushtrisë sime dhe te diplomatët më të mirë të vendit tim? Unë e pranoj që kushdo të dalë në televizor, por nuk e pranoj që opozita si institucion shumë i rëndësishëm i një vendi dhe në politikën e jashtme të një vendi të mos e konsumojë rrugën e verifikimit që nga ministritë përkatëse deri te Parlamenti.

Pse duhet t’u votojnë shqiptarët në 15 nëntor?
Sepse LSI në një moment të rëndësishëm dhe kritik për vendin vendosi dhe përcaktoi për stabilitetin dhe funksionimin e institucioneve çka ishte i rëndësishëm që nga sezoni turistik, se s’do kishin bërë as pushime njerëzit dhe pati një bum të jashtëzakonshëm turistik. Ngjarjet e Fierit po tregonin se kishte një përpjekje për t’i çuar gjërat drejt destabilitetit, sepse dikush nuk realizoi ëndrrën e tij që t’i kishte të gjitha pushtetet në dorën e tij dhe le të bëhej qameti në këtë vend, pavarësisht nga hallet dhe problemet ekonomike që ka vendi.
Nëse opozita ndryshon lidership, do ndryshoni qëndrim?
Nuk është çështje lidershipi. Është çështje që ka të bëjë me strategjinë e gabuar të opozitës, strategjia për të shpikur patjetër krizë. Nuk marrin pjesë në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit, po kam një pyetje, përse morën pjesë në zgjedhjet e komunës në Lushnje pas 28 qershorit. Ngaqë morën njëzetë e ca për qind atje e kuptuan që edhe në këto zgjedhje mund të marrin pak për shkak të efekteve psikologjike të një humbje dhe kalimit në opozitë. Nuk mund të fshihet përmes bojkotit, është një gabim shumë i madh, humbja duhet përballuar. Nuk mendoj se rezultati ishte një tragjedi, ishte një sukses nga pikëpamja e numrave dhe mandateve.
Opozita thotë se pa u bërë transparenca në një proces të madh nuk mund të marrë pjesë në një proces të vogël zgjedhor...
Pse mori pjesë në zgjedhjet e pjesshme lokale në Lushnje?
Ishte vendim politik?
Po, pse atëherë ishte vendim politik dhe tani s’është vendim politik? Apo e kuptuan që nuk fitojnë gjë dhe do bëjnë bojkotin. Humbja më e madhe nuk është humbja e zgjedhjeve. Edhe ne mund të mos dalim mirë në këto zgjedhje, por u japim mundësinë njerëzve të kandidojnë. Kemi një kandidat të shkëlqyer për njësinë 10, zotin Gjergj Thomai. Është një mundësi për të afirmuar njerëzit dhe për të mësuar nga gabimet dhe dështimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›