Kuvendi i ri, seanca e parë më 7 shtator
BLEDAR HOTI
Seanca e parë e Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit mund të zhvillohet më 7 shtator. Burime pranë Kuvendit bëjnë të ditur se edhe pse ende nuk ka një datë të përcaktuar qartë, përgatitjet për seancën e parë që do shënojnë hapjen e legjislaturës së XVIII-të të Kuvendit të ri të Shqipërisë mendohet të finalizohen me datën 7 shtator. Administrata e Kuvendit është duke punuar, sipas burimeve, që seanca e parë të jetë të hënën e parë të muajit shtator. Por data përfundimtare për thirrjen e Parlamentit pritet të caktohet nga ana e Presidentit të vendit, Bamir Topi. Në bazë të Kushtetutës, neni 67, “Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati”. Meqenëse Kuvendit të mëparshëm i ka mbaruar mandati më 2 shtator, i bie që kreu i shtetit të vendosë brenda 12 shtatorit datën për mbledhjen e seancës së parë. Mbi bazën e kësaj datat për mbledhjen e seancave janë 3, 7, 10 shtator. Duke parë këtë situatë duket se data 7 shtator duket si më e pranueshmja për të realizuar nisjen e punimeve parlamentare. Ndërsa synohet të realizohet një datë më e afërt për shkak se brenda këtij muaji, pritet të realizohet ngritja e komisioneve parlamentare, si dhe mbi të gjitha votimi i Qeverisë së re në Parlament. Gjithsesi do të jetë presidenti, i cili do të shprehet me anë të një dekreti. Ndërsa nenit 67 i ligjit themeltar të shtetit, sanksionon gjithashtu se në rast se kreu i shtetit nuk nxjerr një dekret të tillë, atëherë, pas skadimit të afatit 10 ditor, Kuvendi mblidhet vetvetiu. Rregullorja parlamentare përcakton procedurat që ndiqen në mbledhjen e parë të legjislaturës së re të Kuvendit. Sipas saj, seanca hapëse drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë dhe deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit nuk zhvillohet asnjë debat. Në bazë të moshës i bie që seanca e parë të drejtohet nga Kryeministri Sali Berisha. Nëse ai nuk do të pranojë të bëjë një gjë të tillë, atëherë deputeti socialist Ethem Ruka është i dyti më i vjetër. Më pas ndiqet procedura e verifikimit të mandateve të deputetëve të zgjedhur, që kryhet nga Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit. Ky Komision pasi shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve, brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve. Në rast se Komisioni vëren paligjshmëri në zgjedhje, i propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatë Kushtetuese. Menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin, ku zotohen për kryerjen me ndërgjegje të detyrës si përfaqësues të popullit në Kuvend. Për herë të parë në vend do të ketë një Kuvend i dalë nga zgjedhjet e zhvilluara me sistem proporcional rajonal dhe me 140 deputetë.