Ministra pranon rrezikun e malaries në vend
Pak kohë më parë, Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo dhe përfaqësues të OBSH-së, deklaruan se ndryshimet klimaterike që po ndodhin në të gjithë botën, përbëjnë rrezik për përhapjen e sëmundjes së Malaries dhe një sërë sëmundjesh të tjera të reja. Sipas tyre, sëmundja vdekjeprurëse e malaries mund të gjejë terren të favorshëm në vendin tonë. Specialistët shprehen se situata është kritike dhe duhen marrë masa të rrepta në të gjithë botën. Ata theksuan se kanë përpiluar një projekt që do të parandalonte sëmundjet infektive që shfaqen si pasojë e ndryshimeve të klimës, nga temperaturat e larta, ciklonet, tajfunet, tërmetet, apo nga dukuri të pazakonta atmosferike. Drejtori i shëndetit publik, në MSH, Gazmend Bejtja, theksoi se vendi ynë nga pozita gjeografike, është i rrezikuar ndaj sëmundjeve të tilla infektive. Specialistët theksuan se situata është e vështirë dhe përhapja e sëmundjeve infektive mund të bëhet prezentë së shpejti. Sëmundja e malaries mund të ripërsëritet në vendin tonë pas shumë dekadash, për shkak të rritjes së lartë të temperaturave. Drejtuesit e shëndetësisë sqarojnë se krahas sëmundjeve ekzistuese, të cilat njihen mund të shfaqen si pasojë e ndryshimeve klimaterike, dhe sëmundje të tjera të reja, të cilat janë të panjohura nga specialistët e shëndetësisë. Alarmi i ngrohjes globale që ka nisur në shumë vende të botës ka mbërritur edhe në Shqipëri, si një nga vendet me risk të lartë për shkak të shfrytëzimit pa kriter të pyjeve, rezervave ujore dhe rritjes së nivelit të dioksidit të karbonit në ajër për shkak të automjeteve. Ndryshimet klimaterike pritet të risjellin në vend shpërthim të epidemive nga sëmundje të rënda infektive dhe kancerogjene. Ministrja e Shëndetësisë theksoi se në bashkëpunim me OBSH-në ka nisur hartimi i një plani masash për të parandaluar disa nga ndryshimet klimaterike që mund të ndodhin në vendin tonë. Ndërsa, qeveria gjermane e mbështet Shqipërinë me një fond prej 1 milion euro vetëm për këtë nismë. Ministria e Shëndetësisë pritet që së shpejti t’i rekomandojë qeverisë marrjen e masave për ruajtjen e pyjeve, rezervave ujore apo uljen e ndotjes së ajrit nga automjetet.
28 Gusht 2009