E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi: PS do të përçahet më 4 mars

Deputeti i PS-së, Ben Blushi, ka parashikuar një skenar pesimist për fatin e PS-së, duke thënë se Edi Rama po përgatit skenarin e djegies së mandateve të deputetëve dhe kthimin e opozitës në rrugë. Blushi tha dje në televizionin “Ora News”, në bisedë me gazetarin Alfred Peza, se situata brenda PS-së është një kurth i Berishës, duke shtuar se brenda këtij kurthi kanë rënë të gjithë përfaqësuesit e PS-së. “Ne duhet t’i mbajmë mandatet që kemi”, - theksoi Blushi. Ai ka shtuar se PS-ja do të përçahet më 4 mars, datë kur mandatet e socialistëve, sipas Kushtetutës, digjen. Kundërshtari i Ramës ka deklaruar më tej se “ka një skenar për të djegur mandatet e PS-së nga dikush që mendon, që kriza bëhet më e madhe dhe se rruga mund ta zgjidhë këtë krizë”. “Besoj që ky skenar të mos ketë sukses, pasi grupi parlamentar i PS-së do të kthehej në një grup kamikazë, që shkon dhe bllokon rrugët e Shqipërisë”, - theksoi Blushi më tej, duke shtuar se në këtë skenar hyjnë edhe persona që kërkojnë që përmes PS-së mund të trampolohen në politikë. Në lidhje me deklaratat e kreut të PS-së, Edi Rama, se vizita në Bruksel ishte financuar nga Kryeministri Berisha, Blushi i cilësoi si shpifje që i shikon me përbuzje.
“Ka dallime mes meje dhe Ramës në mënyrën se si e shohim politikën dhe fatet e PS-së”, - theksoi Blushi, duke shtuar se investimi i tij në politikë nuk ka çmim dhe se nuk mund të blihet liria e tij personale. Gjithashtu, Blushi theksoi edhe arsyet për vajtjen e tre deputetëve në Bruksel, duke theksuar se vajtja atje nuk ishte për të bërë propagandë për PS-në, por për të verifikuar ato që të tre deputetët besojnë prej 6 muajsh. Sipas Blushit, arsyeja që u pritën nga shumë personalitete të Këshillit Evropian në Bruksel është për të inkurajuar atë linjë brenda PS-së që kërkon hyrjen e saj në Parlament.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›