Rama vë kusht: Në tryezë vetëm me Berishën
Kur pritet që të iniciohet nga ana e Presidentit një tryezë politike bisedimesh mes mazhorancës dhe opozitës, PS del me një kusht të ri. Ajo kërkon që kreu i saj, Edi Rama, të ulet përballë Kryeministrit dhe kreut të PD-së, Sali Berisha. duke tentuar kësisoj që të rrisë nivelin e bisedimeve dhe të faktorizojë kryesocialistin, i cili ka qenë arkitekti i bojkotit parlamentar. Kështu PS nxjerr një tjetër kusht për negociatat, që do të bëhen për zgjidhjen e krizës, përveç kushtit për hapjen e kutive të votimit dhe pse kjo gjë prej mazhorancës është cilësuar si një prekje e Kushtetutës dhe vendimeve të gjykatave. Dje kryesocialisti Edi Rama nëpërmjet deputetit Et’hem Ruka hodhi poshtë çdo negociatë mes eksponentëve të tjerë politikë dhe pse këto negociata, ashtu si herë të tjera, mund të bëheshin mes dy kryetarëve të grupeve parlamentare apo drejtuesve të niveleve të tjera të partisë. Por Rama, i cili ka pasur shumë pak raste të shtrëngojë duart me kundërshtarin e tij politik, po kërkon që të negociojë një marrëveshje liderësh dhe jo partish. “Kjo tavolinë duhet të ulë përballë zotin Edi Rama, kryetar i PS-së dhe zotin Sali Berisha, kryetar i PD-së dhe Kryeministër i vendit. Një tavolinë me nivele më të ulëta se drejtuesit e këtyre dy partive nuk do të ishte e pranueshme as për ne, por besojmë as edhe për faktorin ndërkombëtar, madje nuk do t’i shërbente zgjidhjes së krizës, e cila është konfirmuar tashmë edhe ndërkombëtarisht. Për fat të keq konstatojmë se Partia Demokratike po dëshmon vullnet negativ për pjesëmarrjen në këtë tavolinë dialogu, duke vazhduar kështu të thellojë edhe më shumë krizën që ka pllakosur gjithë jetën e vendit”, - tha Ruka. Ai shtoi se PS inkurajon Presidentin Topi për organizimin e kësaj tavoline. “Dëshiroj që në emër të Partisë Socialiste të rikonfirmoj qartazi dhe pa asnjë ekuivok se PS me hetimin e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive nuk synon aspak ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve në tavolinë e për pasojë as rikonfigurimin e Parlamentit aktual. Synimi i vetëm i saj është garantimi i standardeve evropiane në organizimin e zgjedhjeve të ardhshme, që garantojnë besnikërisht vullnetin e zgjedhësve shqiptarë”, - shtoi ai, ndërsa paralajmëroi organizimin e një tjetër tubimi socialist kundër qeverisë.