E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: PS humbi, Rama të zbatojë statutin

Autori i Lajmit: red.
Deputeti Ben Blushi pranon humbjen e zgjedhjeve të PS-së ndërsa pohon se Rama duhet të zbatojë statutin, pra të japë dorëheqjen sipas tij shkaqet e humbjes janë mosfunksionimi i koalicionit apo i mungesës së kauzës nga PS. Blushi pranon problemet me zgjedhjet por pohon i bindur se nuk janë ato shkaku i humbjes. Ai shton se nëse Rama jep dorëheqjen dhe rikandidon atëherë i jep mundësi dhe Nanos të kandidojë.
Pse nuk i keni bërë publike më parë kundërshtimet tuaja?
Shumë prej nesh nuk kanë folur përfshirë dhe mua. Nuk kanë folur për shkak se kemi pasur një pak prej 10 ditësh që prisnim deri sa të mbylleshin ankimimet. Këto ishin të lidhur me mandatin e Fierit dhe me mandatin e Beratit. Megjithatë shumë prej nesh kanë qenë të heshtur, të heshtur pavarësisht se nga të gjitha ankimimet u kuptua se edhe me ndonjë përmbysje në Fier apo në Berat që sot na u mohua sepse duhet të kishte shkuar në numërim, nuk përmbysnin atë që tashmë është vendosur, një qeverisje mes PD-së dhe LSI. Pavarësisht nga administrimi i votës, vendimi politik se kush qeveris Shqipërinë është marrë dhe kjo pavarësisht nga Kolegji, kutitë e Fierit, presionet normale shqiptare apo ndërkombëtare ndaj Kolegjit. Se çfarë do të ndodhë në shtator dhe kush qeveris këtë shqiptarët e dinë. Dhe kjo është një arsye për të gjithë ne për të folur dhe për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Dhe unë flas në emër të së vërtetës dhe nuk besoj se jam nga ana që duhet të mbaj mbi shpinë kritikat pse nuk kam folur. Unë kam pritur që KQZ-ja apo Kolegji të marrë vendimet që ka marrë për të cilët ne pjesërisht jemi të kënaqur. Por ka një bilanc politik që nuk ndryshon pavarësisht nga Kolegji apo KQZ.
Ju keni dhënë një intervistë te “Panorama” ku keni harxhuar 10 fjalë. Pse nuk ka 5 fjalë kritika kundër procesit zgjedhor për të cilën janë shprehur dhe ndërkombëtarët dhe 5 kundër Ramës po janë të gjitha kundër Ramës?
Sepse unë nuk mendoj se ne i kemi humbur zgjedhjet për shkak të KQZ-së apo komisionerëve. Zgjedhjet janë humbur për shkak të mungesës së kauzës tonë, flas politikisht. Natyrisht duke mbështetur gjithë aksionet në Partinë Socialiste për aq kohë sa ishte i suksesshëm për të marrë çdo mandat që ne na ishte mohuar siç ndodhi në Fier.
A nuk mendoni ju se faktori kohë ka rëndësi në momentin e mbajtjes së qëndrimit? Përqendrimi i goditjes në këtë moment kur Kolegji mund të merrte ndonjë vendim pro dhënies ndonjë mandatit PS-së, është një faktor që dekurajon Kolegjin Zgjedhor në mbajtjen e qëndrimeve të veta.
Kolegjin Zgjedhor nëse ka një faktor politik që mund ta ketë dekurajuar, KQZ po ashtu, mund të ketë qenë lidhja e një marrëveshje të shpejtë për të krijuar qeverinë. Asnjë nga qëndrimet tona përfshirë dhe të miat nuk ka pasur mundësi dhe nuk ka se si të dekurajojë Kolegjin Zgjedhor sepse unë nuk jam nga ata që dal dhe them mos vendos atë që duhet të vendosësh. Është një strukturë autonome, e pavarur e cila shpresoj që vendimet që ka marrë këto dy ditë, Fierin ia dha se e meritonim Partisë Socialiste, Beratin e mohoi për të cilën nuk jam i bindur sepse besoja se do kishte rinumërim, ka për të vendosur dhe për dy ankimime të tjera të PS-së. Pavarësisht nga kjo, unë flas politikisht. Administrimi i votës nuk më takon mua, i takon disa strukturave të tjera. Dhe çka bisedojmë ne nuk mund të ndikojë në Kolegjin Zgjedhor.
Unë kujtoj një intervistë që keni dhënë në mars 2008 , ku keni thënë, “mos i fol shoferit” dhe kur jeni pyetur për zgjedhjet e 28 qershorit jeni përgjigjur “nuk besoj se kjo qeveri është aq inteligjente sa të prekë zgjedhjet! I qëndroni edhe sot këtij mendimi?
Nuk besoj se kjo që cituat të jetë thënia ime sepse në përgjithësi nuk e lidh inteligjencën me zotin Berisha. Natyrisht këto zgjedhje kanë pasur defekte të cilët përgjithësisht janë pjesë e kulturës sonë të administrimit të votës. Në këto 20 vjet nuk kemi treguar përgjegjësinë që kemi me zgjedhjet. Në çdo palë zgjedhje ka palë që ankohen, komisionerë që konfliktohen dhe kuti të bllokuara. Unë nuk komplimentoj zgjedhjet por nga ana tjetër nuk hyj tek ata që mendojnë se zgjedhjet na kanë mohuar fitoren.
Me listat është bërë ndonjë manipulim? Psh në Boboshticë ka pasur probleme?
Dhe mund të ketë pasur. Ne duhet të flasim mbi bazë provash. Unë nuk mbroj qeverinë. Ne kemi pasur shumë vërejte paraprake. Në 3 muaj ne folëm për pamundësinë e marrjes së kartave të identitetit por kjo u kalua. Sigurisht dhe listat janë një problem kronik. Unë jam marrë me listat në 2005 se isha në Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe atëherë opozita më kritikonte përditë mua. Këto janë probleme që nuk janë kapërcyer.
Nuk iu shqetësojnë rezultatet me zero? Partia dhe kryetari i saj thekson fort drejtimin e votës.
Megjithëse defektet e zgjedhjeve , megjithëse pati kuti të bllokuara, megjithëse Kolegji na mohoi Beratin ku unë kisha shpresë, megjithëse ka kuti ku rezultati ku ka qenë 300 me 0 apo lsitat diku kanë qenë të paplota, të gjitha këto janë probleme kronike dhe që lidhem me vullnetin munguar. Berisha nuk ka marrëdhënie të mira me zgjedhjet. Nëse klima e zgjedhjeve është prishur dhe akoma nuk po del në pranverë dhe në verë, nga dimri i 96, kjo është për shkak të 96. Aty është futur virusi dhe migrobi i deformimit të zgjedhjeve, gjë që vazhdon. Por është e paarsyeshme të lidhet kontratë me Ramës se dikush lufton për të marrë një votë dhe dikush si puna ime ka dalë të thotë që jo nuk na duhet kjo votë se kemi humbur. Asnjëri prej jush nuk mund të dëshirojë më shumë se unë fitoren qoftë edhe në tavolinë sepse unë jam pjesë e kësaj partie dhe jam futur për të fituar. Unë flas në emër të lirisë sime dhe të vërtetës. E vërteta që dua të ndaj me ju, me Edi Ramën me çdo shqiptar është kjo, pavarësisht nga këto defekte ne nuk kemi marrë rezultatin që donim si në mandate dhe në vota. Parashikimi ynë ishte që ne të fitonim.
Ne kemi luftuar 4 vjet. Kjo është arsyeja që ndryshuam Kushtetutën, Kodin, për këtë nuk fajësoj njeri se ka qenë vendim kolegjial, një vendim i arsyetuar dhe nuk mund të kthehemi mbar. Kemi zgjedhur këtë rrugë për të pasur mandat të sigurt. Ne shpresonim që për shkak të sistemit, për shkak se ndërtuam koalicionet të kishim një qeveri autonome të PS-së e cila eventualisht nuk do kishte nevojë për aleancë. Kjo ka qenë pritshmëria jonë dhe kjo nuk ka ndodhur.
Ju i kërkuat Ramës të pranojë humbjen dhe thatë se projekti i tij ka dështuar kur Kolegji nuk kishte filluar ankimimet,kur raporti mes koalicioneve ishte 71 me 66 dhe kur raporti mund të shkonte 68 me 65. Ajo çka ju mund të keni të drejtë është se LSI ka deklaruar bashkëpunimin me PD. A do i thoshit Ramës humbës nëse raporti dilte 65 me 68 mandate, ai pretendon?
Edhe unë do pretendoja të kishim 71 por nuk i kemi. Është e paarsyeshme të kërkoni një kontrast me Edi Ramën për këtë gjë. Ka gjëra që mendojmë ndryshe por jo për këtë rast. Do doja të kishim 71 vota por nuk hyj tek ata që mendojnë se nga 28 qershori në 22 korrik ne mund të merrnim votat në tavolinë, ato merren në zgjedhje. Unë kam folur sepse partitë nuk hyjnë në zgjedhje për tu matur me veten por për tu matur me votat që kanë marrë në zgjedhjet paraprake, për të zbatuar programin dhe atë që besojnë. Mundësia e PS për të qeverisur ra dhe kur LSI vendosi të ishte me Berishën. Kjo mundësi iu mohua PS-së.
Ju thatë se pritshëmria e rezultatit nuk u realizua. Ku dështuat?
Nëse doni tu them se këto zgjedhje i kam humbur unë dhe askush tjetër, e bëjmë. Ka një problem në rastin tonë. Unë e thashë dhe e përsëris, nuk jam nga ata që besonin se në këto zgjedhje për shkak të një opozite, për shkak të ndryshimeve në vitit 2005, si bëmë opozitë, do kishim marrë rezultat shumë më të mirë nga ai që morëm. Pavarësisht nga besimi është e pamundur për mua të mos lexoj se çfarë thanë shqiptarët. Pse nuk morëm rezultatin që prisnim? E para se nuk kishim një koalicion fitues. Me këtë sistem votohej koalicioni dhe jo partia. Ne nuk e patëm dot një koalicion që mund të merrte më shumë vota se koalicioni i djathtë. E kam të vështirë ta them pse nuk e patëm por po u them një rast në Korçë është një komunë minoritare, Liqenas, është një parti minoritare që u fut në koalicion me Berishën dhe fitoi ai koalicion. Pra fatkeqësisht koalicioni i djathtë u tregua shumë më pragmatist.
Pse nuk u afruat me LSI-në? Pse Rama gaboi si Nano, juve iu ka pyetur Rama?
Historia me LSI është shumë e ngatërruar. Nëse doni e mbaj unë këtë faj dhe shpëtojeni Edi Ramën, thoni që ai nuk e ka faj. Por historia me LSI është e ngatërruar që prej 7-8 vjetësh kur u krijua. Në dy palë zgjedhje ne humbëm për të njëjtën arsye. Në vitin 2005 shumë prej nesh nuk besonim se efekti i votave të LSI do ishte dërrmues. Rezultoi ashtu dhe humbëm pushtetin. Rama edhe në PS dhe tha se misioni më i madh është të bashkojë të majtën. Jemi në 2009 pa këtë bashkim. Tentuam në 2007 dhe funksionoi pjesërisht. Por nuk u bë më tej se shumë besuan se do bënim qeverisje autonome, jo private. Unë kam mësuar dhe kam folur më përpara për këtë gjë, LSI nuk na dha garanci të mëdha pas vitit 2007. Gjuha ishte e ashpër ndaj nesh. Ajo që ka ndodhur është edhe për shkak të LSI-së. Kur fola për koalicionin nuk kam parasysh një parti maqedonase por e mora si shembull për të treguar ku shkoi koalicioni i djathtë për të marrë 400 vota. Ne nga ana tjetër nuk arritëm dot.
Rama nuk e dinte këtë se është realitet lokal? E informuar ju?
Rama nuk e dinte se i duheshin 400 vota partisë Maqedonase por të gjithë ne e dinim se rreth 120 mijë votat e LSI-së na duheshin. Për fat të keq ka një raport që ndryshoi në 2007 dhe nuk krijuam një raport besimi për shkak të një raport të vështirë mes Ramës dhe Metës. Dy miq të vjetër, dy njerëz që kanë bashkëpunuar nuk arritën dot për fat të keq tonin, të kishin raport besimi me njeri-tjetrin. Kjo na kushtoi por kjo nuk fshin përgjegjësinë. Unë kam qenë kritik ndaj LSI. Shumë prej nesh kanë qenë mosbesues ndaj LSI por kjo është një nga arsyet që humbët.
Keni qenë dakord për ndryshimet kushtetuese!
Po është e drejtë, unë kam votuar pro dhe e mbroj votën time. Kam votuar për këtë Kod Zgjedhor i cili sado që ti vishet Edi Ramës apo Kastriot Islamit, ka qenë një gjë e arsyetuar. Nuk është kodi arsyeja që ne nuk kemi fituar.
Sipas statutit humbja e zgjedhjeve çon në ndërprerje të mandatit?
Në përfundim të procesit, nëse partia nuk vjen në pushtet mandati ndërpritet. Kjo mund të zgjidhet duke menduar ndryshe. Ai si kryetar i partisë dhe shumë kolegë të tjerë kemi kërkuar të ndiqet çdo votë deri në fund, por duhet të tregohemi serioz. Askush nuk mund të ngrejë alibia për humbjen apo të pretendojmë se kemi fituar një mandat popullor që u plaçkit. Ka një kontraditë logjike në këtë rast. Nëse PS dhe strukturat e saj nuk njohin zgjedhjet, Rama nuk duhet të japë dorëheqjen. Por nëse jep dorëheqjen pranon humbjen. Nëse jep dorëheqjen nuk ka duhet të rikandidojë.
Do jeni kandidat për kretar partie”
Ma kanë bërë këtë pyetje. Nuk ka garë në PS dhe unë nuk jam një kandidat. Zoti Malaj mund të jetë kandidat po unë nuk jam kandidat tani që po flasim. E kundërshtoj mundësinë e mos njohjes së zgjedhjeve. Jam kundër të dalim nga institucionet.
Duhet të përfshihet Nano në politikë, duhet të rikthehet?
Sot që flasim, Nano dhe Rama megjithëse janë diametralisht të kundërt, janë të barabartë në një pikë, të dy kanë humbur një palë zgjedhje. Rikandidimi i zotit Rama thërret zotin Nano në kandidim. Unë nuk do uroja këtë gare.
Ky lajm është publikuar: 23/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›