E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ftesa, Rama: Të bashkohemi për më shumë cilësi lirie brenda PS-së

Kryetari i PS-së, Edi Rama deklaroi dje gjatë punimeve të Kongresit se Programi i ri

përfaqëson ofertën dhe rrugën e opozitës drejt pushtetit

TIRANË Për më shumë se një orë e gjysmë, kryetari i opozitës, Edi Rama ka paralajmëruar dje në Kongresin e PS-së fillimin e një rrugë të re për të majtën. Edi Rama deklaroi se programi përfaqëson ofertën dhe rrugën e opozitës drejt pushtetit. “Do jemi të gjithë bashkë për një rilindje shqiptare. Të cilën dua ta projektojmë mbi bazën e Programit të ri që e shpalosim sot, jo si fjalën tonë të fundit, por si fillimin e një rruge të re ku do të bashkëbisedojmë qytet më qytet e fshat më fshat për të ripërtërirë besimin se po, Shqipëria mund të bëhet dhe do të bëhet. Dhe do ta bëjmë ne të gjithë së bashku me Partinë Socialiste, me Aleancën për të Ardhmen dhe më çdo shqiptar e shqiptare që dëshiron t’u lërë fëmijëve të vet Shqipërinë, që është amaneti i të parëve tanë”, - tha Rama. Kryetari i PS-së theksoi se ky është fillimi i një rruge të re për ta kthyer Programin e ri në një frymë të re besimi tek njerëzit. “Drejtësia në krizë. Demokracia në krizë. Ky është fillimi i një rruge të re për ta futur politikën në çdo shtëpi, jo me erën e ndasive të së shkuarës, po me fuqinë e propozimeve për të ardhmen. Ky është fillimi i një rruge të re për ta ngarkuar Partinë Socialiste me misionin e shpëtimit të vendit nga humnera e një krize ekonomike shpartalluese”, - tha ai. Kryetari i PS-së ka bërë thirrje për bashkim të së majtës, duke reflektuar në të njëjtën kohë: “Atyre që më gjykojnë duke u nisur nga qëllimet e tyre, u them se s’jam i pagabueshëm. Por mos bëni me gabimet e mia të mundshme fajin e madh të shërbimit për kundërshtarin. Partia Socialiste nuk vuan sot nga mungesa e lirisë. As nga mungesa e demokracisë apo debatit brenda saj. Partia Socialiste nuk vuan as nga mungesa e harmonisë mes brezave apo nga mungesa e punës në ekip. S’ka dyshim se liria mund të punojë akoma më mirë edhe brenda nesh. Por s’mund të mos jemi krenarë që kjo është e vetmja parti shqiptare ku liria punon. Le të bashkohemi tërësisht për t’i dhënë edhe më shumë cilësi lirisë brenda partisë. Të gjithë e duam këtë. Por të bësh ngjasime mes Partisë Socialiste dhe kazermës së Saliut në aspektin e lirisë, është njësoj si të thuash se trëndafili dhe kaktusi janë e njëjta gjë”. Kryetari i opozitës ka kërkuar bashkim më shumë rreth vetes, për ta bërë demokracinë të funksionojë edhe më mirë. Në këto kushte, Rama e kishte një përgjigje konkrete për zërat kritikë në këtë parti. “Të thuash s’ka demokraci, s’ka debat të lirë, s’ka respekt për zërin e pakicave në PS, është njësoj si t’u thuash shqiptarëve mos i besoni Partisë Socialiste. E kjo e pavërtetë e madhe, e thënë nga brenda PS-së, i shkon për shtat kundërshtarit në pushtet, jo qytetarit në opozitë. Sigurisht edhe puna në skuadër mund të bëhet më efikase. Por s’mund të ndjeheshim sot kaq mirë përpara shqiptarëve sikur, pikërisht falë punës në ekip, të mos kishim draftuar bazën e projektit ambicioz për një rilindje shqiptare”, - tha ai. Rama shtoi se “cilidoqoftë që nuk arrin të dallojë kufirin ku mbaron liria e tij e ku fillon liria e të tjerëve, s’mund t’i shkojë për shtat tjetërkujt veç propagandës shurdhuese të kundërshtarit”. Megjithatë, për liderin e opozitës nuk ka vend për përjashtime, por për bashkëpunim: “Sot Partia Socialiste e ka vërtet një problem për të zgjidhur me veten. Dhe për ta zgjidhur pa humbur kohë me përkushtimin e të gjithëve dhe me përjashtimin e askujt. Ky problem është etika e përfaqësimit në të gjitha nivelet, nga deputetët tek kryetarët e partisë në territore e deri tek kryetarët e organizatave. Gjithkush është i lirë të thotë atë që mendon. Por askush s’ka të drejtë të përdorë mandatin e përfaqësimit në varësi të asaj që përfiton ose nuk përfiton për vete”, - shtoi ai. Rama theksoi se programi i PS-së është një derë e hapur për ide dhe sugjerime për individë, grupe interesi, organizata shoqërore, parti politike, të majta, të qendrës apo liberale të djathta, që gjejnë arsye për t’u bashkuar në programin e kësaj partie. Ai sqaroi se programi përfaqëson të tria gjeneratat e Partisë Socialiste: “Është programi i atyre që e themeluan këtë familje politike. Është programi i atyre që e ngritën Shqipërinë nga gërmadhat e vitit ’97. Është programi i atyre që u bënë pjesë e kësaj partie në shekullin e ri. Ky është programi i reflektimeve të thella”, - tha Rama. Andaj, duke folur për një politike të re e për pasojë qeverisje të re, lideri i opozitës kërkoi që të lihen pas sherret dhe grindjet: “Sot nuk ka vend për to. As brenda partisë, as midis partive, madje as me kundërshtarin politik, me të cilin kurrë nuk mund të na bashkojë vizioni dhe idetë për Shqipërinë që duam. Por asnjë herë, mospëlqimi i thellë personal nuk do na pengojnë të dialogojmë në emër të interesit madhor të kombit dhe shtetit që përfaqësojmë. Sot, ky interes madhor kërkon me urgjencë të përshpejtohet me çdo kusht procesi i integrimit”, - tha Rama.

Prona

PS synon zgjidhjen e pronësisë së pronarëve legjitimë, pajisjen me certifikata pronësie fermerëve dhe dhënien e titujve të pronësisë të gjithë atyre që kanë hyrë në proces legalizimi

Të përndjekurit

Për ish-të përndjekurit do të zbatohet dëmshpërblimi progresiv sipas viteve të dënimit. Për ata mbi 75 vjeç, masa e dëmshpërblimit do të ndiqet brenda vitit të parë të qeverisjes.

Taksat

PS premton uljen në zero të taksës së bukës, taksës së vezëve dhe taksës së ilaçeve. Premtohet ulja nga 20% në 6% e taksës së faturës së energjisë. Po shikohet mundësia e uljes së taksës për pjesën tjetër të ushqimeve, ndërkohe që do të kërkohet taksa progresive

Punësimi

Premtohen 300 mijë vende pune për mandatin e parë qeverisës. 75 mijë vende pune çdo vit. Nuk do të preket taksa 20% e prodhimeve të fushës. Do krijohen kushte lehtësuese për format e reja të organizimit të punës në bujqësi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›