Vendimi i Qeverisë/Miratohet rritja e pagave 6-11 përqind, shkurtime të reja në zërin e shpenzimeve
Qeveria vendosi dje të aplikojë një kurs të qartë politik në sferën ekonomike, për të aktivizuar shkurtimet në buxhet dhe dhënien hapësirë rritjes së pagave. Kryeministri Sali Berisha u shpreh në fjalën e tij para anëtarëve të kabinetit qeveritar se shkurtimet në buxhetin e shtetit janë të domosdoshme pasi do të ndikojnë në uljen e deficitit dhe mos rritjen e borxhit.
“Jemi këtu për të miratuar buxhetin e ri apo shkurtimet e mëdha të buxhetit të këtij viti të cilat bëhen për të ulur deficitin buxhetor dhe për të mos lejuar rritjen e borxhit. Ky vendim bëhet i domosdoshëm jo se qeveria s’mund të marrë borxh po ai përbën një shpatë në sektorin privat dhe do të ishte e gabuar të jepnin masë tjetër ndërkohë që ky është sektori me kredit për zhvillimin e vendit”, u shpreh kryeministri Sali Berisha.
Shefi i qeverisë theksoi se këto shkurtime do të merren si një masë paraprake për t’u përkujdesur që të mos ketë pasoja. “Masat janë përkujdesje dhe qëllime të përgjegjshme në një situatë ku euro është në një gjendje të vështirë”, tha kryeministri.
Gjithashtu kryeministri Berisha bëri të ditur edhe rritjen e rrogave duke theksuar se paga e mjekëve do të rritet me 11 për qind, e mësuesve me 6 përqind dhe e punonjësve të administratës me 4-5 për qind ndërkohë që theksoi se për pagat e presidentit, kryeministrit dhe ministrave nuk do ketë rritje.
Berisha përshëndet raportin e BB, IFC dhe BMF për lehtësitë e investimeve të huaja/Kryeministri Sali Berisha përshëndeti dje, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, raportin e Bankës Botërore, Korporatës Financiare Ndërkombëtare dhe BMF, i cili merr në shqyrtim katër indikatorë bazë për lehtësitë e investimeve të huaja në 87 vende të botës. Kryeministri u shpreh se nga analiza që i bëhet klimës së investimeve të huaja në këto 87 vende, Shqipëria rezulton me 95 për qind për investimet në mbarë sektorët, duke tejkaluar me 5 për qind vendet e OECD-së, vendet e zhvilluara, dhe me 2 për qind vendet e rajonit. Ndërsa për të filluar një biznes, vijoi kryeministri, Shqipëria arrin në 98 për qind, kundrejt 71 për qind që është mesatarja e vendeve të OECD-së dhe po 71 për qind mesatarja e vendeve të rajonit. “Pas vlerësimit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara me çmimin e dytë në botë për transparencën, për shkak të prokurimeve 100 për qind elektronike, ky vlerësim përbën një ndër arritjet më madhore në vlerësimin e reformave tona në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit. Ky është mesazhi më i shkëlqyer, më inkurajues, që ky vend i dërgon komunitetit ndërkombëtar të biznesit. Mbetet që përpjekjet të shtohen në të gjithë sektorët dhe Shqipëria të kapë 98 për qind në çdo fushë të lidhur me biznesin”, u shpreh kryeministri.