E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Rezoluta, hapen kutitë e materialeve zgjedhore dhe digjen fletët e votimit”

Komenton edhe Kastriot Islami

Deputeti i Partisë Socialiste Kastriot Islami deklaroi dje duke iu referuar miratimit të rezolutës në Parlamentin Evropian se e mira e të dy krahëve politik në Shqipëri është që të pranojnë sugjerimet e ndërkombëtarëve. Indirekt deputeti Islami i kërkoi kryesocialistit Edi Rama, të harrojë hapjen e kutive, pasi tashmë ky është një qëndrim thuajse i pabazë. I njohur si një nga deputetët më kritikë të lëvizjeve të Ramës Islami thotë se s’mund të ketë më konsensus nëpër darka apo tryeza politike, por ka ardhur momenti të respektohet neni 178, pika 6 e Kodit Zgjedhor, çka do të thotë shqyrtim të materialeve zgjedhore dhe djegie të fletëve të votimit.
“S’ka më konsensus nëpër darkat politike dhe tryezat e presidentit. PE kërkon respektimin nenit 178 pika 6 e Kodit Zgjedhor, për të shqyrtuar materialet zgjedhore. Partia Socialiste, përfundimisht duhet të vendoset në binarët e jetës parlamentare. Ju bëj thirrje të dy palëve, as Berisha të mos pretendojë, por as opozita të mos e quajë një fitore të madhe, por thjeshtë të zbatohet ligji”, u shpreh deputeti socialist, Islami.
Ligjvënësi opozitarë vëren se zgjidhja që rezoluta e Parlamentit Europian jep për ngërçin politik, është zgjidhje e propozuar që në krye të herës nga deputetët e njohur si Lëvizja për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste, ku dhe Islami bën pjesë.
Sipas Islamit çdo qëndrim i forcave politike jashtë kontekstit të zgjidhjes që propozon rezoluta mund të shërbejë për bllokimin e zgjedhjeve të ardhshme lokale.
Ai bëri thirrje gjithashtu që të fillojë puna për reformën e re zgjedhore, për të mos rrezikuar zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme lokale.
“Duhet të fillojë puna për komisionin e reformës zgjedhore, pasi çdo veprim tjetër do të binte ndesh me rezolutën e Parlamentin Evropian dhe përmes kësaj do ishte një risk i madh për zgjedhjet vendore”, tha më tej deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›