Vlerësimet e klasës politike për rezolutën e Parlamentit Europian

Meta: “Rezoluta, inkurajuese për implementimin e reformave dhe afrimin me BE-në”/“Rezoluta është një inkurajim për të ecur në rrugën e duhur drejt integrimi dhe liberalizimit të vizave”. Kështu e vlerësoi miratimin e rezolutës nga Parlamenti Evropian zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Ai tha se qeveria është e angazhuar për t’i çuar përpara proceset integruese. “Dua të përshëndes Rezolutën e miratuar nga PE, e cila është një inkurajim për të ecur në rrugën e duhur, për të arritur në kohën tashmë të pritshme të liberalizimit të vizave për të gjithë qytetarët shqiptarë, por njëkohësisht dhe për të çuar më tej proceset integruese. Njëkohësisht besoj se kjo rezolutë jep në mënyrë shumë të qartë sesi duhet ecur në drejtimin e duhur. Ai bëri thirrje për bashkëpunim, duke konsideruar se është momenti më i përshtatshëm për t’i dhënë përgjigje kërkesave të Bashkimit Evropian. “Ndaj vlerësoj gatishmërinë dhe ftesën e kryeministrit Berisha, për ti kërkuar opozitës dhe Partisë Socialiste të punojmë së bashku për zbatimin sa më shpejt të kësaj rezolute”- vuri në dukje zëvendëskryeministri.
Jozefina Topalli: “Rezoluta e PE-së, Qeveria dhe Parlamenti realizuan reformat”/Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përshëndeti dje gjatë seancës plenare, miratimin e rezolutës për Shqipërinë nga Parlamenti Evropian. Duke falënderuar eurodeputetët për votën e tyre, Kryetarja e Kuvendit tha se vendi ka shënuar progres të jashtëzakonshëm falë reformave të qeverisë dhe parlamentit. “Ky është një ndër momentet më të rëndësishme historike për vendin tonë kur, Parlamenti Europian me një shumicë të madhe votash mbështet heqjen e vizave për Shqipërinë dhe kjo vjen për shkak të progresit të jashtëzakonshëm gjatë këtyre muajve, për shkak të reformave që Qeveria dhe Parlamenti ka ndërmarrë”- tha kryetarja e Kuvendit. Ajo falënderoi të gjithë deputetët që gjatë këtyre muajve kanë kaluar ligje të reformave të mëdha, që kanë kërkuar shumë punë, kurajë dhe vizion.
Majlinda Bregu: “Parlamenti Evropian konfirmoi mbështetjen për integrimin e vendit”/Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, deklaroi nga Strasburgu, se votimi i rezolutës për Shqipërinë në Parlamentin Europian, rikonfirmon mbështetjen e europarlamentarëve për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian. Ministrja Bregu përshëndeti miratimin e kësaj rezolute nga PE, e cila, sipas saj, është e dyta brenda këtij viti, e cila votohet ‘pro’ procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. “Ky është një moment gëzimi jo vetëm për ne që ishim këtu, por për të gjithë ata që janë në një hap me ne drejt BE. Ka pasur 5 amendamente të propozuara nga socialistët europianë për votim në seancë plenare dhe ka pasur një gjuhë kompromisi midis partive të djathta e të majta”, tha Bregu.
Ajo nënvizoi se është shumë e rëndësishme që në këtë moment Shqipëria ka një konfirmim shumë pozitiv për procesin e integrimit në BE-së në kundërshtim me të gjithë zërat, të cilët kanë deklaruar që do të kishte një bllokim të këtij procesi dhe një ngrirje të marrëdhënieve në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
“Ne jemi të gatshëm për të zgjidhur çfarëdo lloj ngërçi politik të zgjatur. Besoj se ky votim i sotshëm duhet të jetë një mesazh edhe për socialistët shqiptarë, të cilët kanë parë sot se me gjithë përpjekjet e tyre për të bllokuar në Tiranë apo nëpërmjet përfaqësuesve të tyre të dërguar në Bruksel votimin e kësaj rezolute, nuk ia kanë dalë as kësaj radhe. Madje votat e socialistëve europianë janë bashkuar me deputetë edhe europarlamentarë të tjerë ‘pro’ integrimit të Shqipërisë”, deklaroi më tej Bregu.