E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kaçakët shqiptarë erdhën në shek XVIII”

 

Nazim Rashidi BBC, Shkup

Në Maqedoni botimi i "Enciklopedia Maqedonase", do të duhej të ishte një ngjarje e rëndësishme kulturore, por ajo ka shkaktuar debat dhe zemërim. Ambasadat britanike dhe amerikane në Shkup, kanë mohuar kategorikisht çdo lloj njoftimi që sugjeron ky botim, se ushtritë e dy vendeve kanë stërvitur Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare. Kurse organizatat shqiptare thonë se faktet për shqiptarët janë të pavërteta dhe ofenduese. "Enciklopedinë Maqedonase", e botoi Akamdemia e Shkencave e mbështetur nga qeveria. Botimi i "Enciklopedia Maqedonase" po shkakton reagime që përfshijnë opinionin vendas, por edhe atë diplomatik. Në reagimet e tyre me shkrim ambasadat britanike dhe amerikane hedhin poshtë çdo lloj lidhje të ushtrive të vendeve të tyre me UÇK-në, grupin guerilas që luftonte me forcat maqedonase të sigurisë në vitin 2001. Në "Enciklopedia Maqedonase", thuhet se njësiti special i ushtrisë Britanike SAS dhe ushtarë amerikanë kanë stërvitur  ushtarët e UÇK-së. Është hera e parë që sugjerohet një fakt i tillë, i cili vjen nga një organ i lartë shkencor në Maqedoni, siç është Akademia e Shkencave. Ambasada britanike thotë "se në asnjë moment Britania e Madhe nuk ka përkrahur UÇK-në dhe këto akuza janë të pavërteta". Me ton edhe më të ashpër reagon Ambasada amerikane, akuzat e botuara në Enciklopedinë Maqedoanse i quan "të pabaza dhe skandaloze". Ajo thotë se "është e zhgënjyer që një institucion si ky qëndron prapa njoftimeve të tilla". Dy ambasadat thonë se do të kërkojnë nga Akademia e Shkencave të përmirësojë gabimin. Njoftimet e Akademisë së Shkencave i kanë mohuar kategorikisht dhe zyrtarë të lartë të ish-UÇK-së, tani figura politike në vend. Njëri prej tyre është Xhevat Ademi, deputet i BDI-së. "Në Maqedoni ka koka të pareformuara dhe koka që kanë mbetur në klishetë bardh dhe zi". "Siç duket zotërinjtë e Akademisë së Shkencave e kanë të vështirë të pranojnë se në 2001 e kanë humbur luftën nga një ushtri çlirimtare kryengritëse dhe sajojnë filma". "Kjo mbase për mendjet e tyre, që të zbusin sado pak turpin që ata pësuan jo vetëm në fushëbetejë, por edhe politikisht", tha zoti Ademi. Botimi i "Enciklopedia Maqedonase" ka shkaktuar reagime edhe për faktet rreth shqiptarëve, ku ndër të tjera në të thuhet se shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur para pak shekuj, ku "nëpërmjet grupeve kaçake, kanë terrorizuar popullin maqedonas, e kanë dëbuar atë dhe janë vendosur në shtëpitë e tyre". Arben Ratkoceri, botues i të përditshmes "Koha" veçon edhe disa fakte të tjera që për të janë një shtrembërim i pafalshëm dhe tendencioz. "Për shqiptarët thuhet se kanë ardhur në Maqedoni në shekullin e 18-të, për Nënën Terezën nuk saktësohet identiteti i saj, për Skënderbeun shtrembërohet prejardhja e tij", thotë Arben Ratkoceri. Shoqatat qytetare këto konstatime i vlerësojnë si tejet të dëmshme dhe ofenduese për shqiptarët. Ata bëjnë thirje për tërheqjen e botimit. Artan Grubi është kryetar i lëvizjes qytetare "Zgjohu". "Kemi themeluar një trup koordinues i përbërë nga disa OJQ për t'u marrë me këtë çështje". "Ne kemi konsultuar juristë dhe shikojmë mundësinë e ngritjes së një padije penale kundër Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, për nxitjen e urrejtjes ndëretnike në vend midis komuniteteve, sidomos mes shqiptarëve dhe maqedonasve", tha Artan Grubi. Redaktori i "Enciklopedia Maqedonase", akademiku Bllazhe Ristevski, i tha BBC-së se qëndron prapa fakteve të publikuara. "Nuk e di nëse jeni të vetëdijshëm se pse popullsia shqiptare vepronte me kërcënime dhe me rrëmbime në këto troje, këto janë fakte." "Unë nuk mund t'ua fshij këto fakte autorëve. Ne nuk mund të bëjmë një enciklopedi të falsifikuar, enciklopedia është me fakte të vërtetuara historike", tha akademiku Bllazhe Ristevski. "Enciklopedia Maqedonase" u botua nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë e mbështetur nga qeveria". "Kjo e fundit thotë edhe pse qëndron pas këtij projekti vetëm financiarisht, do të ndërtojë qëndrim, pasi të shikojë reagimet zyrtarisht nga subjektet e ndershme", tha zoti Ristevski. "Enciklopedia Maqedoanse" u promovua në mesjavë dhe duhet të përbënte një ngjarje të rëndësishme kulturore. Në të përfshihen figura, zhvillime dhe fakte që kanë të bëjnë me Maqedoninë. Por publikimi i saj tani ka nxitur reagime të mëdha, jo vetëm shkencore, por edhe politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›