E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Vujanoviç: Të ndërtojmë rrugën Adriatiko-Joniane

 

Presidenti Bamir Topi takoi dje në Cetinjë të Malit të zi, homologun e tij fqinj, Filip Vujanoviç. Kryetari i Shtetit së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi dhe delegacioni që e shoqëron u pritën me një ceremoni zyrtare në Pallatin Presidencial. Në konferencën e përbashkët për shtyp krerët e shteteve folën për intensifikimin e bashkëpunimit veçanërisht në infrastrukturës. Kreu i shtetit malazez theksoi si të rëndësishëm përfundimin e rrugës Plavë-Podgoricë, e cila do lidhet me rrugët që çojnë në jug të Shqipërisë. “Ky bashkëpunim shtrihet në disa sfera si dhe në zbatimin dhe realizimin e projekteve të përbashkëta, sidomos përsa i përket zhvillimit të infrastrukturës rrugore. Në këtë drejtim një projekt i një rëndësie të veçantë është ai i bashkëpunimit të ngushtë mes dy ministrive përkatëse të transportit ku ne do të arrijmë të përfundojmë rrugën Plavë-Podgoricë për ta lidhur atë me pjesën tjetër drejt jugut, drejt Shqipërisë”, theksoi Vujanoviç. Ndërsa sipas Presidentit Topi: “Po realizojmë atë pjesë të premtimit, që kemi marrë së bashku edhe me Presidentin kroat Mesiç për të realizuar rrugën Adriatiko-Joniane. Mendoj që do të jetë një arterie shumë e rëndësishme për t’i dhënë jetë një komunikimi më intensiv të njerëzve dhe të mallrave dhe patjetër për ta bërë edhe zhvillimin e turizmit në mënyrë shumë integrale”. Presidenti Topi u takua dje pasdite edhe me përfaqësues politikë të pushtetit vendor dhe parlamentar në Mal të Zi, si dhe me kryeministrin Milo Gjukanoviç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›