Zëvendësohet kreu i ekspertëve italianë
Delegacioni italian i ekspertëve ka zëvendësuar dje përmes një ceremonie të zhvilluar në komandën e doktrinës dhe stërvitjes gjeneral brigade, Aldo Piçotti, vendin e të cilit e ka zënë kolonel Diego Regali. I pranishëm në këtë ceremoni ministri i Mbrojtjes, Arben Imami theksoi se “Prezenca dhe kontributi në Shqipëri i delegacionit italian të ekspertëve, i cili filloi rreth 11 vjet më parë u mirëprit nga FA shqiptare. Ky delegacion përcolli mesazhin, vlerën dhe kontributin jo vetëm si ekzekutues e mbështetës financiar i veprimtarive ushtarake, por në radhë të parë si një partner i rëndësishëm i FA shqiptare”. Ministri Imami ka falënderuar veçanërisht gjeneral Piçottin për kontributin e tij për Forcat e Armatosura shqiptare. Më pas, ministri Imami i ka dorëzuar shefit të Repartit të Tretë pranë Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Italiane gjeneral major Pasquale Preziosa, Medaljen e Artë të Shqiponjës të akorduar nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, si dhe Medaljen për Shërbime të Shquara për shefin e DIE-së, gjeneral brigade Aldo Piçotti. Në fjalën e tij gjeneral brigade Piçotti theksoi se kam punuar për disa vite në Shqipëri dhe dua të nënvizoj se këtu gjeta një ambient tepër të ngrohtë e mikpritës, bashkëpunova ngushtë me ushtarakët e FA shqiptare, me drejtuesit kryesorë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm në këto vite.