E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqi; “Sëmuret” Bujar Gashi, dështon dëshmia e Colit



Dështon sërish dëshmia e të penduarit Adriatik Coli, pasi i pandehuri Bujar Gashi u “sëmur” sapo nisi gjyqi dhe mësoi për ardhjen e ish-shokut të tij. Në të njëjtën ditë ishin caktuar të dyja seancat për të pandehurit e “Bandës së Durrësit”, paradite për grupin e madh të kryesuar nga Indrit Dokle e Lulzim Berisha dhe në mesditë seanca për Bujar Gashin. Seanca e parë u shty, Coli nuk mundi të thotë asnjë fjalë duke u rishoqëruar për në vendin ku strehohet, ndërsa togat e zeza reaguan pas kritikave të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, në mbledhjen e KLD-së, duke vendosur zhvillimin e seancave dy herë në javë për “Bandën e Durrësit”. Por, organi i akuzës dhe togat e zeza kishim menduar që dëshmia e të penduarit Coli të realizohej gjatë seancës së mesditës, në ngarkim të Bujar Gashit. Por, sapo seanca filloi, i pandehuri kërkoi leje nga gjykata të largohej, pasi kishte një javë që nuk ndihej mirë dhe ishte paraqitur dje vetëm për korrektesë, duke u larguar nga salla e gjyqit. Kryesuesja e trupit gjykues vendosi të vazhdojë seanca, por avokati Ilia Ilia nuk pranoi të vijonte mbrojtjen, pasi klienti i tij nuk ia kishte dhënë tagrat për të vazhduar seancën. Gjykata e zëvendësoi me një tjetër avokat kryesisht, ndërkohë që u shty për datën 28 shtator dhe do të vijojë me dëshminë e të penduarit Adriatik Coli. Prokurori Martini kërkoi nga gjykata të njoftohen Ministria e Drejtësisë dhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë për avokatin Ilia, i cili sipas tij, është duke thyer ligjin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›